Kuvendi i Kosovës ka votuar për formimin e qeverisë Kurti 3, me 66 vota pro, 49 kundër dhe asnjë abstenim.
Më herët Albin Kurti prezantoi emrat e kabinetit të ri ku gjithsej do të jenë 19 ministri, 4 më shumë se në mandatin e kaluar.
Pas miratimit me 66 vota pro, ministrat e rinj të qeverisë së Kosovës kanë bërë betimin para Kuvendit.
Pas kësaj, kryeparlamentarja e emëruar sot Albulena Haxhiu e konsideroi seancën e jashtëzakonshme të mbyllur.
Ish-kreu i Kuvendit Glauk Konjufca do të jetë zv.kryeministër i parë dhe ministër i Jashtëm dhe Diasporës.
Kurti ka premtuar se në katër vitet e ardhshme të qeverisjes së tij do të investojnë 1 miliard euro në mbrojtje.
“Në katër vitet e ardhshme do të forcojmë aleancat, do të investojmë 1 miliard euro në mbrojtje, do të rekrutojmë ushtarë të rinj, do të shumëfishojmë numrin e oficerëve, do ta funksionalizojmë fabrikën e municionit, do ta zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës dhe do të prodhojmë dronët luftarakë Made in Kosova”, ka premtuar Kurti.