Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare

11 Shkurt 2026, 19:01Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu është zgjedhur kryeparlamentare si dhe është konstituar Kuvendi i Kosovës.

Haxhiu mori 66 vota pro, ndërkohë që 44 deputetë votuan kundër dhe 8 abstenuan.

“Sot e marr këtë detyrë më vetëdije të plotë me peshën kushtetuese që e mban. Këtë besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim të plotë”, tha Haxhiu në fjalën e mbajtur në Kuvend.

Ajo u shpreh se qytetarët presin që ish-krerët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm dhe të kthehen sa më parë në vend.

“Lufta e UÇK ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Dihet kush ka qenë agresori, dihet kush ka bërë krime në vendin tonë, ato janë të regjistruara dhe të dëshmuara nga bota mbarë. Ato krime janë kryer nga Serbia, e cila kurrë asnjëherë nuk u përball me drejtësinë në mënyrë serioze, përkundrazi kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet dhe u amnistuan. Presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në vend dhe tek familjet e tyre dhe që këto orvatje të prokurorisë të marrin fund sa më parë. Për këtë duhet të jemi bashkë. Prandaj të dashur deputetë, në veçanti për çështje të interesit kombëtar duhet të flasim me zë të qartë e të kemi qëndrim të përbashkët me zotimin se kjo republikë ka institucione që i dalin zot edhe në momentet më të vështira”, tha Haxhiu.

Ndryshe nga legjislatura e kaluar kur Haxhiu dështoi të zgjidhej kryeparlamentare pas disa seancash maratonë, në këtë legjislaturë mjaftoi tentativa e parë për të marrë shumicën e votave. 

Albulena Haxhiu ishte gruaja më e votuar për deputete në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur mori mbi 174 mijë vota. Më herët Haxhiu ka mbajtur në kabinetin Kurti edhe funksionin e ministres së Drejtësisë për 4 vite.

Nënkryetarët e rinj të Kuvendit janë zgjedhur Ardian Gola i Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Emilja Rexhepi nga grupi multietnik  dhe Sllavko Simiq i Listës Serbe.


Video