Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla nuk ka kursyer etiketimet ndaj Bashkimit Europian, gjatë fjalës së saj në Forumin e Dubrovnikut, ku të pranishëm janë edhe emisarët Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak.
Gërvalla është pyetur lidhur me marrëveshjet me Serbinë, tensionet në veri të vendit dhe marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtarët, kur e ka krahasuar Bashkimin Europian me një tigër prej letre sa i përket sigurisë.
“Pyetja kryesore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është dhe që ne e pyesim vetën është: A mundet Bashkimi Evropian dhe a ka unitet BE-ja të garnatojë dhe sigurojë paqe në Evropë? Unë vlerësoj që BE-ja nuk munden, dhe njëjtë ka thënë edhe një analist gjerman para disa ditësh, sepse nuk është e aftë të ofrojë siguri, arsyet dihen. Nuk ka vullnet politik, ka shumë jounitet në bllok, dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letër kur vjen puna te siguria”, deklaroi ministrja Gërvalla.
Më pas, zëvendëskryeministrja e Kosovës ka cituar disa shifra që sipas saj tregojnë “skepticizëm” dhe “mosbesim” të qytetarëve ndaj diplomacisë evropiane.
“Në dy vitet e fundit, mosbesimi dhe skepticizmi në kapacitetin e diploamcisë së BE-së, në vendin tonë ka shpërthyer në 30 pikë, derisa në 2021, rreth 50 për qind i thanë Qeverisë tonë mos bëni kompromis për Asociacionin, ndërsa në 2023, kjo ishte 80 për qind. Në vitin 2021, rreth 50 për qind, thanë mos bëni kompromis në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, në 2023, kjo ishte 84 për qind”, deklaroi ajo.
E menjëhershme ka qenë edhe përgjigja nga zyrtarët e lartë të BE-së dhe SHBA-së. Escobar ka thënë se Kosova nuk mund të ecë përpara me “populizëm e nacionalizëm”, ndërsa Lajçak i është përgjigjur kritikave të Gërvallës për BE-në duke thënë se unioni është një ëndërr për shumë shtete që po trokasin në dyert e BE-së.