Italia bllokon DeepSeek, aplikacionin kinez të inteligjencës artificiale

29 January 2025, 18:43Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Italia bllokon DeepSeek, aplikacionin kinez të inteligjencës
DeepSeek

Aplikacioni kinez i inteligjencës artificiale DeepSeek nuk mund të aksesohet prej kësaj të mërkure në dyqanet e aplikacioneve Apple dhe Google në Itali, një ditë pasi autoriteti i mbrojtjes së të dhënave të vendit kërkoi informacion mbi përdorimin e të dhënave personale.

Komisioni i Irlandës për Mbrojtjen e të Dhënave tha se kishte kërkuar gjithashtu informacion nga DeepSeek në lidhje me përpunimin e të dhënave të përdoruesve irlandezë.

DeepSeek javën e kaluar lançoi një asistent falas të AI që thotë se përdor më pak të dhëna dhe me një kosto më të ulët të shërbimeve. Deri të hënën, asistenti kishte kaluar rivalin amerikan ChatGPT në shkarkimet nga App Store i Apple, duke ndezur panik midis investitorëve të aksioneve të teknologjisë.

“Lajmi për tërheqjen e aplikacionit ishte vetëm pak orë më parë”, tha kreu i rregullatorit italian të të dhënave, Pasquale Stanzione, siç raporton agjencia e lajmeve ANSA.

“Zyra jonë do të nisë një hetim të thellë për të parë nëse rregullat GDPR po respektohen”, shtoi Stanzione, sipas ANSA, duke iu referuar rregullores së Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave.

Rregullatori italian, i njohur si Garante, tha të martën se donte të dinte se cilat të dhëna personale janë mbledhur, nga cilat burime, për çfarë qëllime, në çfarë baze ligjore dhe nëse ruhen në Kinë. Ai i dha DeepSeek dhe kompanive të lidhura me të 20 ditë për t'u përgjigjur.

Stanzione tha gjithashtu se rregullatori po kërkon siguri për mbrojtjen e përdoruesve të mitur të aplikacionit, për shmangien e paragjykimeve dhe shmangien e ndërhyrjeve zgjedhore.

Një njoftim i shfaqur për klientët italianë në Apple, shfaqet mesazhi se aplikacioni "aktualisht nuk është i disponueshëm në vendin ose zonën ku ndodheni". E njëjta ndodh edhe në PlayStore.

DeepSeek duket të jetë ende funksional për përdoruesit italianë që kishin shkarkuar më parë aplikacionin dhe është i disponueshëm për shkarkim në vende të tjera të Bashkimit Evropian dhe në Britani.

Në Gjermani, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha se qeveria po monitoronte aplikimet e AI për ndërhyrje të mundshme përpara zgjedhjeve kombëtare të 23 shkurtit.

“Natyrisht, autoritetet e sigurisë janë të shqetësuara me aplikimet e AI dhe manipulimet e mundshme, ndikimin e mundshëm në formimin e opinionit publik përmes aplikacioneve të AI, veçanërisht tani në funksion të zgjedhjeve të Bundestagut”, tha zëdhënësi, pa përmendur ndonjë model specifik.


Video