
Lufta e Izraelit kundër Iranit po hyn në një fazë të dytë, e cila pritet të përqendrohet në sulme ndaj instalimeve nëntokësore të raketave balistike, sipas dy burimeve të njohura me operacionin ushtarak izraelit që folën për Reuters.
Pas goditjeve të para që shkatërruan lëshues raketash dhe depo mbi sipërfaqe, avionët luftarakë izraelitë pritet të synojnë strehimet dhe depot nëntokësore ku ruhen raketat balistike dhe pajisjet ushtarake.
Operacioni ajror Izrael–SHBA hyn në javën e parë
Operacioni i përbashkët ajror i Tel Aviv dhe SHBA kundër Iranit po plotëson javën e parë të tij. Sulmet fillestare shkaktuan vdekjen e disa drejtuesve iranianë dhe nxitën një përshkallëzim rajonal, me kundërpërgjigje iraniane ndaj Izraelit, në rajonin e Gjirit dhe në Iraq, ndërsa Izraeli ka ndërmarrë edhe sulme në Lebanon.
Ushtria izraelite (IDF), ka deklaruar vazhdimisht se ka goditur qindra lëshues raketash iraniane në sipërfaqe, të cilët mund të përdoreshin për të sulmuar qytetet izraelite.
Burimet theksojnë se faza e dytë e operacionit synon të neutralizojë aftësinë e Iranit për të kryer sulme ajrore ndaj Izraelit deri në fund të konfliktit dhe njëkohësisht të dobësojë lidershipin e Republikës Islamike.
Sulme të para ndaj infrastrukturës nëntokësore
Në një njoftim të fundit, ushtria izraelite bëri të ditur se gjatë natës avionët e saj goditën një infrastrukturë nëntokësore të përdorur nga regjimi iranian për ruajtjen e raketave balistike, si dhe depo për raketa që mund të përdoren kundër avionëve.
Ky është një nga rastet e para kur Izraeli konfirmon publikisht sulme ndaj objektivave nëntokësore të sistemit raketor iranian, që nga nisja e operacioneve të përbashkëta me SHBA të shtunën e kaluar.
Nga 2.500 deri në 6.000 raketa në arsenalin iranian
Vlerësimet për rezervat raketore të Iranit ndryshojnë ndjeshëm. Izraeli beson se para nisjes së luftës Teherani kishte rreth 2.500 raketa, ndërsa disa analistë të tjerë e vendosin këtë shifër deri në rreth 6.000.
Sipas analistit Douglas Barrie nga International Institute for Strategic Studies, Irani mund të ketë ende në dispozicion edhe raketa lundruese tokë-tokë, armë shumë precize që fluturojnë në lartësi të ulët për të shmangur zbulimin nga radarët.
Sulme të koordinuara në Iran dhe Liban
Avionët luftarakë izraelitë kanë kryer misione të vazhdueshme që nga e shtuna, ndërsa tensionet u rritën më tej pas lëshimit të raketave nga Hezbollah kundër Izraelit.
Si kundërpërgjigje, Izraeli ndërmori sulme të forta ajrore edhe në Beirut. Sipas burimeve të sigurisë, në disa raste të njëjtët avionë izraelitë kanë goditur objektiva në Iran gjatë daljes në mision dhe pozicione të Hezbollahut në Liban gjatë kthimit.
Pse janë ulur sulmet me raketa nga Irani
Zyrtarë të Izraelit dhe SHBA-së thonë se numri i raketave balistike dhe dronëve të lëshuar nga Irani ka rënë që nga e shtuna. Kjo lidhet pjesërisht me shkatërrimin e lëshuesve dhe infrastrukturës ushtarake nga sulmet izraelite dhe amerikane.
Megjithatë, sipas ushtrisë izraelite, një arsye tjetër mund të jetë strategjia e Teheranit për të ruajtur rezervat e raketave, në rast se konflikti shndërrohet në një luftë të gjatë konsumimi.
Ish-zëvendëskëshilltari për sigurinë kombëtare të Izraelit, Eran Lerman, deklaroi se pritshmëria ishte që regjimi iranian të fillonte të dobësohej më shpejt.
“Shpresonim që sistemi i regjimit të fillonte të shpërbëhej më herët. Kjo nuk ka ndodhur ende dhe për sa kohë nuk ndodh, sistemi duhet të dobësohet gjithnjë e më shumë”, tha ai. (Reuters)