Një stuhi e fuqishme ka përfshirë Holandën duke shkaktuar një viktimë dhe dhjetra të pagosur.
Stuhia me erëra të forta deri në 145 kilometra në orë ka goditur disa qytete duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike. Në Haarlem situata është kritike, me dhjetra makina dhe varka të shkatërruara.
Ndërsa në Amsterdam era e fortë ka shkulur nga rrënjët pemët e qytetit. Autoritetet në vend i kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në banesat e tyre, pasi nuk përjashtohet mundësia që stuhia të intensifikohet gjatë orëve në vijim.

Monitoruesit e fenomeneve natyrore thonë se cikloni “Poly” kaloi në Belgjikë, Gjermani dhe Holandë dhe do të zhvendoset drejt Danimarkës dhe Suedisë të mërkurën në mbrëmje. Ditën e nesërme cikloni pritet të humbasë fuqinë duke u shpërbërë.
Ekspertët thonë se “Poly” nuk ka arritur të shndërrohet plotësisht në një stuhi, dhe me gjasë është një fenomen i njohur si “sting jet”, një tunel ajror i krijuar nga përplasja e presionit të lartë dhe atij të ulët njëkohësisht.
