Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka hedhur poshtë mundësinë e kontrabandimit të armëve me ambulanca nga serbët në Veri të Kosovës.
Në një deklaratë për media, KFOR thotë se nuk ka asnjë provë që i mbështet deklaratat e deputetes britanike Alicia Kearns, e cila ishte e para që ngriti shqetësimin për armatimin e ekstremistëve serbë në veri.
“Nuk ka asnjë provë as në lidhje me kontrabandën e supozuar të kryer me autoambulanca përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar sot KFOR.
Reagimi i KFOR vjen vetëm një ditë pasi gazeta e huaj “The Geopost”, publikoi videon e një ambulance që dyshohet se i shpërndante armë serbëve në Mitrovicën e Veriut gjatë trazirave.
“Geopost”, e cila është një medie që përqëndrohet në zhvillimet në rajonin e Ballkanit, raportoi dje se kontrabandimin e e ka kryer serbi i arrestuar tashmë nga policia e Kosovës, Milun “Lune” Milenkoviq, drejtues i “Mbrojtja Civile”.
Lidhur me deklaratat e Kearns, KFOR tha se ka të ngjarë që ajo t'i referohej një rasti të vitit 2022 “kur Batalioni Mbretëror Fusilier ishte në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it”.
“Prezenca e supozuar e armëve ilegale u raportua në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për konfirmimin e kësaj, nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar”, thuhet në komunikatën për media.