Pas dymbëdhjetë orë diskutimi, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviç, një orë pas mesnatës së 20 gushtit.
Qeveria është rrëzuar me 50 vota prr dhe një kundër. Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga 81 gjithsej sa janë në Kuvend. Tani qeveria e Abazoviç do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviç për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Për rrëzimin votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviç, Demokratët e Aleksa Beçiç, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet.
Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA e Abazoviç nuk morën pjesë në votim.
Gjatë mbrëmjes së 19 gushtit, Abazoviç u përpoq të parandalonte rënien e Qeverisë duke u ofruar partive opozitare që të ristrukturojnë së bashku Qeverinë, gjë që nuk kaloi.
Para votimit, në fjalën përfundimtare, Abazoviç tha se kjo është vetëm një nga betejat politike dhe se të gjithë së shpejti do të takohen në zgjedhje
Ai tha se shpreson që shpejti do të konstituohet qeveria e re dhe të gjendet mandatari për formimin e saj. “Lufta politike për momentin është mes Dritan Abazoviç dhe Millo Gjukanoviç”, ka shkruar ai në rrjetin Telegram pas rrëzimit.
Abazoviç ka thënë se Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe është arsyeja kryesore e rrëzimit të qeverisë së tij.
“Sonte votohet iniciativa e DPS-së, e cila tha se kur ta rrëzojnë Qeverinë do ta anulojë Marrëveshjen Themelore. Nëse sonte e rrëzoni qeverinë, mos na thirrni më për negociata. Marrëveshjen Themelore nuk e kam nënshkruar as për vota, as për mbështetje, as për qeveri, por për pajtimin e popullit të Malit të Zi”, tha gjatë seancës Abazoviç.
Abazoviç kryeministër për 115 ditë
Qeveria e Dritan Abazoviç është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë.
Dritan Abazoviç ishte kryeministri i parë i Malit të Zi, i cili i përket një komuniteti kombëtar pakicë. Ai e gjeti veten në krye të shtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur përfundoi qeverisja tridhjetëvjeçare e Partisë Demokratike të Socialistëve Milo Gjukanoviç. Në atë kohë, Lëvizja Civile URA e Abazoviç ishte "pika e kthesës" për formimin e një qeverie të re në Mal të Zi.
Në qeverinë e mëparshme të Zdravko Krivokapiqit, ai ishte nënkryetar. Pas inicimit të rrëzimit të Qeverisë së Krivokapiç në shkurt të këtij viti, Abazoviç u bë kryeministër i ri me ndihmën e Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit në fund të prillit.
Çfarë do ndodhë tani?
Rënia e Qeverisë hap mundësinë e formimit të një Qeverie të re, të tretë, bazuar në rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të gushtit 2020.
Në periudhën në vijim partitë politike do të fillojnë negociatat për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi.
Nëse një grup i caktuar politik mbledh 41 nënshkrimet e deputetëve, ata do të mund t'i paraqesin kërkesë presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, për t'i dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së tretë.
Debati në parlament
Në fjalën e tij hyrëse, deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijell Zhivkoviç, tha se Qeveria e Abazoviç ka braktisur agjendën evropiane dhe ka humbur një mundësi historike, “sepse kryeministri përmbushi detyrimet e tjera dhe pranoi të shantazhohet”.
“Në vend të kryeministrit evropian, jeni bërë ish-kryeministër. Mali i Zi, pas Qeverisë së ekspertëve dhe pakicës, nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje ku do të zgjidhet një qeveri legjitime”, tha Zhivkoviç.
Abazoviç iu kundërpërgjigj Zhivkoviç, duke thënë se nuk është e vërtetë që DPS-ja e ka paraqitur iniciativën për rrëzimin e tij për shkak të mungesës së progresit të shtetit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj interesave kombëtare dhe prandaj e dorëzuat. Mos u fshihni pas evropianizmit”, tha Abazoviç.
Abazoviç akuzon kundërshtarët politikë se kanë lidhje me krimin
Abazoviç ka shkaktuar një mori reagimesh pasi gjatë seancës ka akuzuar Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), të presidentit Millo Gjukanoviç, ish-prokurorët dhe disa kompani e media se janë të lidhura me krimin.
Sipas tij, një rast i konfiskimit të cigareve në Portin e Tivarit, është i lidhur me kompaninë Bemax të Malit të Zi.
Sipas tij, Bemax, një nga kompanitë më të mëdha ndërtimore, e ka themeluar një portal që e lidh jodrejtpërdrejt Abazoviçin me klanet kriminale në Malin e Zi.
Kryeministri Abazoviç ka ftuar prokurorin që të verifikojë pretendimet e tij. Ai ka akuzuar zyrtarët nga partitë që duan të rrëzojnë Qeverinë, se po synojnë ta destabilizojnë Malin e Zi.
Ai e ka konsideruar deputetin, Predrag Boshkoviç të DPS-së dhe ministrin e Mbrojtjes, Rashko Konjeviç nga Partia Socialdemokrate (SDP), si “ekzekutorë politikë të destabilizimit të Malit të Zi”.
Boshkoviç i ka konsideruar deklaratat e Abazovbiqit si të pavërteta, dhe ka thënë se ato “nuk janë dëgjuar në politikë në 30 vjetët e fundit”.
Sipas tij, deklaratat e Abazoviçit shënjestrojnë kundërshtarët politikë.
Në shtator votohet shkarkimi i kryetares së Kuventit të Malit të Zi
Më 2 shtator, Kuvendi i Malit të Zi do të vendosë për shkarkimin e kryetares së Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviç.
Kjo iniciativë është e Frontit Demokratik dhe Demokratëve opozitarë. Në iniciativë thuhet se “kryesimi i Gjuroviçit është shënuar me shkelje të vazhdueshme të akteve që rregullojnë funksionimin e Kuvendit të Malit të Zi”./REL