Shifrat, zjarret shkrumbojnë pyjet e Europës

18 August 2022, 19:27Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shifrat, zjarret shkrumbojnë pyjet e Europës

Zjarret kanë shkrumbuar një sipërfaqe rekord prej 700 mijë hektarësh në BE deri më tani për këtë vit, sipërfaqja më e madhe që nga fillimi i matjeve.

“Ne po përballemi me një verë të vështirë në Europë, deri më tani për këtë vit më shumë se 700 mijë hektarë të djegur, vlera më e lartë në këtë kohë të vitit që nga viti 2006”, tha Janez Lenarcic, Komisioneri Europian për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave.

Sipërfaqja prej 700,000 hektarësh është gati tre herë më e madhe se Luksemburgu ose afërsisht e njëjta madhësi me Azerbajxhanin.

Shifrat nga Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) tregojnë se Spanja ka qenë më e goditura deri më tani me më shumë se 283,000 hektarë të djegur. Pasohet nga Rumania (150.735), Portugalia (86.631), Franca (62.102), dhe Italia (42.835).

Numri i zjarreve është rritur gjithashtu vitet e fundit me më shumë se 2,300 zjarre të regjistruara në të gjithë bllokun nga mesi i gushtit, shumë mbi mesataren gjatë periudhës 2006-2021 prej 1,349 zjarresh.

Ndryshimet klimatike kanë rritur gjasat dhe ashpërsinë e zjarreve në të gjithë Europën. Këtë vit, shumë prej zjarreve u ndezën nga disa valë të nxehti dhe u favorizuan nga një thatësirë, që Qendra e Përbashkët e Kërkimeve të Komisionit Europian tha se mund të jetë më e ashpra në 500 vitet e fundit.

Sipas Komisionit Europian, gjatë dy muajve të fundit, 29 avionë dhe tetë helikopterë janë vendosur në të gjithë bllokun përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, i cili është një mënyrë për vendet e BE-së për të ndarë burimet gjatë situatave emergjente.


Video