Bashkimi Europian ndalon tregtinë e diamanteve me Rusinë

18 December 2023, 17:54Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bashkimi Europian ndalon tregtinë e diamanteve me Rusinë
Diamante / Foto ilustruese

Bashkimi Europian ka rënë dakord këtë të hënë të godasë Rusinë me një raund të ri sanksionesh që përfshin ndalimin e diamanteve, një burim i madh të ardhurash për Kremlinin që deri më tani kishte mbetur i paprekur.

Duke filluar nga 1 janari, 27 shtetet anëtare të bllokut nuk do të lejohen më të blejnë diamante natyrale dhe sintetike, si dhe bizhuteri diamanti, që vijnë direkt nga Rusia, përveç nëse këto janë të destinuara për qëllime industriale.

Që nga 1 marsi, ndalimi i importit do të fillojë të mbulojë diamantet dhe bizhuteritë me origjinë ruse që janë prerë dhe lustruar në vende të tjera. Ky ndalim indirekt do të zbatohet gradualisht deri në 1 shtator, kur një sistem gjurmueshmërie pritet të vendoset në nivel ndërkombëtar.

Ky sanksion, i 12-ti që nga shkurti 2022, synon gjithashtu të mbyllë zbrazëtirat që kanë tejkaluar kufirin e çmimit të naftës ruse, të cilin G7 e kishte vendosur në 60 dollarë për fuçi.

Moska në muajt e fundit e ka shitur naftën e saj shumë mbi kufirin te firma tregtare më pak të njohura, duke anashkaluar lehtësisht kufizimet tregtare që Perëndimi mendonte se kishte nën kontroll.

Për më tepër, paketa fut në listën e zezë 29 kompani, duke përfshirë ato jo-ruse që dyshohet se kanë ndihmuar Kremlinin të marrë mallra të të BE-së. Emrat e këtyre kompanive nuk u bënë publike.

Në një përpjekje të re për të goditur problemin e vazhdueshëm të anashkalimit të sanksioneve, prodhuesit evropianë të teknologjisë së ndjeshme do të duhet të respektojnë një klauzolë kontraktuale që ndalon në mënyrë eksplicite mallrat e tyre të rieksportohen në Rusi.

“Ne vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën, në çdo mënyrë”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, teksa njoftoi sanksionet.


Video