Albin Kurti nxjerr DOKUMENTIN dhe u përgjigjet kritikëve: Unë kam punuar që çlirimtarët të kthehen në shtëpi, puna e mirë bëhet pa zhurmë!

5 Nëntor 2025, 13:21Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Albin Kurti/ Hashim Thaçi/ Kadri Veseli/ Jakup Krasniqi/ Rexhep Selimi

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nxjerr një dokument zyrtar që thotë se është kërkesa që ai në cilësinë e kryeministrit të vendit i ka dërguar Ekaterina Trendafilovës, presidentes së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ai tregon se bashkë me stafin kanë punuar shumë për të kthyer në shtëpi çlirimtarët Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, por këtë e kanë bërë në heshtje, sepse siç thekson ai, puna e mirë bëhet pa zhurmë.

"Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë. Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”, shkruan Kurti.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se Prokuroria Speciale e ka përfunduar rastin e saj dhe dëshmitarë nuk ka më, ndaj sipas Albin Kurtit, nuk ka arsye ligjore e morale që ish-krerët e UÇK-së të mbahen në paraburgimin e Hagës, por duhet të kthehen në shtëpi.

"Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje", shkruan ai, duke shtuar "Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet."

Si kryeministër i Kosovës, ai thotë se ai vetë dhe zyra e tij kanë kërkuar lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit që nga fillimi, duke kërkuar të vënë në lëvizje dhe Dhomat e Specializuara, drejtpërdrejt përmes drejtueses Ekaterina Trendafilova.

"E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës.

Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje. Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre", përmbyll Albin Kurti.


Video