Tajfuni “Kalmaegi” godet Filipinet, të paktën 40 viktima

4 Nëntor 2025, 22:16Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tajfuni “Kalmaegi” godet Filipinet

Të paktën 40 persona kanë humbur jetën dhe qindra mijëra banorë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre pasi tajfuni “Kalmaegi”, një nga më të fuqishmit e këtij viti, ka goditur Filipinet qendrore, njoftuan autoritetet vendase.

Stuhia, e njohur lokalisht si Tino, ka përmbytur zona të gjera, përfshirë qytete të tëra në ishullin Cebu, ku janë regjistruar shumica e viktimave. Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë banorë të bllokuar mbi çati ndërtesash, ndërsa automjete dhe kontejnerë janë marrë përpara nga rrjedhat e ujit.

Sipas Zyrës së Mbrojtjes Civile, rreth 400 mijë persona janë evakuuar nga zonat më të rrezikuara. Shumica e viktimave besohet se kanë humbur jetën nga mbytja, ndërsa përmbytjet kanë shkatërruar qindra shtëpi dhe ndërtesa të vogla.

Guvernatorja e provincës Cebu, Pamela Baricuatro, e përshkroi situatën si “të paprecedentë”, duke theksuar se “përmbytjet, dhe jo erërat, janë kërcënimi më i madh për banorët”.

Një helikopter ushtarak që ndihmonte në operacionet e shpëtimit u rrëzua në ishullin Mindanao, duke vrarë gjashtë anëtarë të ekuipazhit, konfirmoi Forca Ajrore e Filipineve (PAF).

Tajfuni, që preku tokën të martën në mëngjes, është dobësuar disi, por vazhdon të shoqërohet me erëra deri në 130 kilometra në orë. Sipas parashikimeve, ai do të kalojë mbi rajone të tjera të Visayas dhe pritet të dalë në Detin e Kinës Jugore brenda së mërkurës.

Ky është tajfuni i tretë i fuqishëm që godet Filipinet brenda një muaji, pas Ragasa (Nando) dhe Bualoi (Opong), të cilët shkaktuan mbi një duzinë viktimash dhe dëme të mëdha në bujqësi e infrastrukturë.

Filipinet, që përballen mesatarisht me 20 tajfunë në vit, po kalojnë një periudhë të vështirë për shkak të motit ekstrem, përmbytjeve të përsëritura dhe një tërmeti të fuqishëm prej 6.9 ballësh, që në fund të shtatorit la dhjetëra të vdekur në të njëjtin rajon.

Tajfuni Kalmaegi pritet të zhvendoset drejt Vietnamit, i cili tashmë po përjeton reshje shiu rekord dhe rrezikon përmbytje të tjera të gjera.

 


Video