
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka marrë vendim që i propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca të jetë kandidat për kryeministër.
Këtë vendim, Osmani e mori pas takimeve që ajo ka zhvilluar gjatë ditës së sotme me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Po ashtu, një takim me Osmanin, i është propozuar edhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, por ky i fundit nuk ka shkuar pasi që i njëjti ka qenë në aktivitete në terren në kuadër të fushatës për balotazh.
Glauk Konjufca është propozuar sot për mandatar për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje e cila ka mbledhur sot Këshillin e Përgjithshëm.
Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, u ka bërë thirrje partive politike të vendit që të bashkohen përtej ndasive dhe të krijojnë një shumicë të fuqishme që do të mundësojë zbatimin e reformave dhe ratifikimin e marrëveshjeve të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.