12-vjeçari humb jetën pas sulmit të peshkaqenit në Sydney

24 Janar 2026, 22:04Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një 12-vjeçar ka ndërruar jetë në spital, pas plagëve të marra nga një sulm peshkaqeni në Portin e Sydney-t javën e kaluar, kanë konfirmuar autoritetet australiane.

Nico Antic u sulmua më 18 janar, teksa po hidhej nga një shkëmb së bashku me miqtë e tij. Autoritetet dyshojnë se sulmi është kryer nga një peshkaqen “dem”.

“Me zemra të thyera njoftojmë se djali ynë, Nico, ka ndërruar jetë”, thanë prindërit e tij, Lorena dhe Juan, në një deklaratë publike.

Familja e përshkroi Nicon si “një djalë të gëzuar, miqësor dhe sportiv, me një shpirt jashtëzakonisht të mirë dhe bujar”, duke shtuar se kështu do ta kujtojnë gjithmonë.

Pas incidentit, miqtë e tij u vlerësuan për guximin, pasi u hodhën menjëherë në ujë për t’i ardhur në ndihmë. Nico pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua në Spitalin e Fëmijëve në Sydney në gjendje kritike, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dhe u vendos në koma të induktuar. Megjithatë, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Një fushatë online për mbështetjen e familjes ka mbledhur deri tani rreth 240 mijë dollarë australianë.

Ngjarja është një nga katër sulmet e raportuara nga peshkaqenët përgjatë bregdetit të Uellsit të Ri Jugor brenda dy ditësh. Javën e fundit janë shënuar disa incidente përgjatë bregut lindor të Australisë, tre prej tyre në zonën e Sydney-t.

Ekspertët lidhin shtimin e sulmeve me reshjet e dendura të shiut, të cilat krijojnë kushte të favorshme për peshkaqenët dem, që preferojnë ujërat e turbullta. Reshjet gjithashtu sjellin lëndë ushqyese drejt brigjeve, duke i afruar grabitqarët më pranë zonave të frekuentuara nga njerëzit.

Si masë parandaluese, disa plazhe në Sydney u mbyllën përkohësisht, por shumica prej tyre janë rihapur për fundjavën e festës së Ditës së Australisë.


Video