Autoritetet e qytetit të Minneapolis zhvilluan një konferencë për shtyp pas një incidenti të rëndë ku një person humbi jetën gjatë një përplasjeje me agjentë federalë të imigracionit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta politike dhe protesta në terren.
Sipas Policisë së Minneapolis, personi i qëlluar për vdekje ishte një burrë, banor i qytetit dhe besohet të ketë qenë shtetas amerikan. Mosha e tij është raportuar fillimisht ndryshe nga burime të ndryshme, por shefi i policisë, Brian O’Hara, deklaroi se bëhet fjalë për një 37-vjeçar.
Ai shtoi se personi ishte posedues i ligjshëm i një arme zjarri dhe se kontakti i vetëm i njohur i tij me organet e rendit kishte qenë për çështje të vogla administrative, të lidhura me gjoba parkimi.
Incidenti ndodhi gjatë një operacioni të agjentëve federalë. Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve deklaroi se oficerët po kryenin një operacion të synuar ndaj një personi të kërkuar për një vepër të dhunshme, kur një individ i armatosur iu afrua dhe, sipas tyre, rezistoi me dhunë përpjekjeve për t’u çarmatosur.
Në këtë kontekst, një agjent hapi zjarr, duke shkaktuar vdekjen e tij në vend, pavarësisht ndihmës mjekësore.
Pas ngjarjes, në zonën ku ndodhën të shtënat shpërthyen protesta.
Autoritetet raportuan për përplasje mes forcave të rendit dhe protestuesve, ndërsa u përdor edhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.
Policia e shpalli zonën si “tubim të paligjshëm” dhe u bëri thirrje banorëve të largohen, duke e cilësuar situatën si të paqëndrueshme. Gjithashtu u raportua për ndezjen e dy zjarreve të vogla, të cilat u shuan nga shërbimet emergjente.
Kryebashkiaku i Minneapolis, Jacob Frey, reagoi ashpër ndaj operacioneve federale të imigracionit, duke i cilësuar ato si një “pushtim” dhe duke i bërë thirrje Presidentit të SHBA-ve që të ndërhyjë dhe të ndalë këto veprime.
“Sa amerikanë të tjerë duhet të vdesin apo të lëndohen që kjo të marrë fund?”, deklaroi ai, duke shtuar se operacione të tilla nuk po rrisin sigurinë në qytet.
Edhe guvernatori i Minesotës, Tim Ëalz, u shpreh i indinjuar, duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të agjentëve federalë nga shteti.
Ndërkohë, përfaqësuesja në Kongres, Ilhan Omar, e cilësoi ngjarjen si tronditëse dhe akuzoi administratën federale për përdorim force ndaj qytetarëve.
Autoritetet federale, përfshirë drejtuesit e ICE dhe Kontrollit Kufitar, pritet të mbajnë një konferencë të veçantë për shtyp për të dhënë detaje mbi operacionin dhe rrethanat e incidentit. Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa situata në Minneapolis mbetet e tensionuar.