Kapja e një presidenti: CNN ndërton operacionin e rrezikshëm për arrestimin e Maduros, si u ulën në kompleks dy helikopterët (VIDEO)

24 Janar 2026, 15:50Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kapja e një presidenti

Një operacion i guximshëm dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm i Shteteve të Bashkuara për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, kulmoi me një përplasje të ashpër zjarri në orët e para të 3 janarit në Karakas.

Sipas një analize të detajuar të CNN, helikopterët amerikanë u ekspozuan ndaj rreziqeve të jashtëzakonshme teksa zbritën në një kompleks të fortifikuar rëndë, brenda bazës ushtarake Fort Tiuna, e identifikuar si pika e mundshme e rrëmbimit të Maduros.

CNN ka rindërtuar hap pas hapi misionin e 3 janarit, duke analizuar më shumë se 50 video dhe imazhe të filmuara nga dëshmitarë okularë dhe duke hartëzuar itineraret e fluturimit të helikopterëve amerikanë.

Fokus i veçantë i analizës janë minutat kritike të fazës finale, kur zjarri i ndërsjellë mes avionëve sulmues amerikanë dhe mbrojtjes ajrore venezuelase ishte intensiv dhe i pandërprerë.


Pamjet tregojnë se kishte rreth dy minuta vendimtare mes uljes së një helikopteri transporti dhe ngritjes së tij nga toka, kohë gjatë së cilës përplasja me zjarr vazhdoi.

Sipas ekspertëve ushtarakë, ky ishte çasti më i rrezikshëm i gjithë operacionit, pasi helikopterët lëviznin ngadalë dhe në lartësi të ulët, duke u bërë objektiv i lehtë edhe për armë më të thjeshta.

Rreziku u shtua edhe më tej nga fakti se forcat amerikane zgjodhën pikën më të ekspozuar të mundshme për ulje: drejtpërdrejt pranë kompleksit të Maduros.

“Kaos i organizuar”

Sulmi ndaj Fort Tiuna, një prej komplekseve ushtarake më të mëdha të Venezuelës, ishte përgatitur prej kohësh. Në orët e para të 3 janarit, një seri goditjesh ajrore në të gjithë vendin neutralizuan radarët, komunikimet dhe sistemet e mbrojtjes ajrore, duke hapur rrugën për helikopterët e operacioneve speciale.

Sipas shefit të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane, gjeneralit Dan Caine, mbi 150 mjete ajrore – përfshirë bombardues, avionë luftarakë dhe platforma zbulimi – u angazhuan nga 20 baza tokësore dhe detare. Rreth orës 01:30 të mëngjesit, shpërthime u raportuan në qytetin bregdetar Higuerote, ku CNN ka lokalizuar goditje ndaj një aeroporti që strehonte sisteme ruse të mbrojtjes ajrore Buk-M2.


Ekspertë të armatimeve i thanë CNN se pamjet sugjerojnë përdorimin e dronëve sulmues njëdrejtimësh, teknologji që ushtria amerikane e ka zhvilluar me shpejtësi vitet e fundit.

Në Karakas, rreth orës 01:58, dy helikopterë transporti MH-47 Chinook u panë duke fluturuar ulët drejt Fort Tiuna. Ish-ushtaraku amerikan Wes Bryant e përshkroi strategjinë e sulmeve paraprake si “kaos i organizuar”, një taktikë për të mbajtur nën presion mbrojtjen armike përpara zbarkimit.

Pamjet tregojnë të paktën dy helikopterë që ulen në kompleks mes zjarrit nga toka, shkarkojnë trupat dhe largohen menjëherë. Sipas gjeneralit Caine, forcat amerikane hynë për herë të parë në kompleksin e Madurros në orën 02:01 dhe më pas e kapën presidentin venezuelas.

Minutat më të rrezikshme

CNN ka sinkronizuar 10 video shtesë që tregojnë fazën e dytë të operacionit, ku helikopterët sulmues amerikanë siguronin mbulim ajror ndërsa helikopterët e transportit nxirrnin Maduron dhe trupat që e kishin kapur.

Zjarri i vazhdueshëm, i përshkruar nga ekspertët si tipik për helikopterët sulmues amerikanë MH-60 Black Hawk të pajisur me topa 30 mm, shoqërohet nga kundërpërgjigjja e mbrojtjes ajrore venezuelase. Rreth 20 sekonda më vonë, një helikopter transporti shihet duke zbritur drejt kompleksit të fortifikuar.


“Çdo helikopter është më i cenueshëm një minutë para uljes dhe një minutë pas ngritjes”, shpjegon Bryant, duke theksuar se në atë fazë mjeti ajror shndërrohet në një objektiv të lehtë.

Pamjet tregojnë se një minutë e 44 sekonda pas uljes, një re pluhuri ngrihet pranë kompleksit, pasuar nga lëshimi i raketave dhe ngritja e një Chinook-u. Rreth 20 sekonda më pas, edhe një tjetër helikopter largohet nga zona.

Një mision me pasoja të rënda

Zjarri dhe shpërthimet në Karakas pushuan rreth orës 03:00, ndërsa forcat amerikane dolën nga hapësira ajrore e Venezuelës rreth orës 04:29. Sipas autoriteteve venezuelase, operacioni shkaktoi rreth 100 viktima, ndërsa Kuba deklaroi se 32 anëtarë të sigurisë presidenciale kubane humbën jetën.


Administrata Trump njoftoi se nuk pati humbje amerikane.

Një dokument i Departamentit amerikan të Drejtësisë, i datës 23 dhjetor dhe i publikuar pas operacionit, paralajmëronte se forcat amerikane do të përballeshin me “rezistencë të konsiderueshme”, përfshirë dhjetëra bateri kundërajrore të afta për të rrëzuar helikopterë.

“Ky ishte një sulm që mund të kishte përfunduar shumë keq”, deklaroi presidenti Donald Trump pas operacionit. Edhe pse misioni u konsiderua i suksesshëm, ekspertët e quajnë atë një “bombë me sahat”, duke theksuar se një faktor i vetëm i paparashikuar mund ta kishte kthyer operacionin në dështim me pasoja të rënda ndërkombëtare.


Video