Kimberly Guilfoyle jep dorëheqjen, pas “shkarkimit” nga Trump (por mohon se ka marrë 100 mijë$)

13 October 2026, 17:29Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kimberly Guilfoyle jep dorëheqjen, pas “shkarkimit” nga Trump

Ambasadorja amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ka dhënë dorëheqjen, pas kërkesës që erdhi nga Shtëpia e Bardhë për largimin e saj nga detyra.

Donald Trump kërkoi dorëheqjen e saj, pas raportimeve se ajo kishte kërkuar 100 mijë dollarë nga një donator i Trump përpara seancës së konfirmimit të saj vitin e kaluar.

Kimberly Guilfoyle në një reagim në rrjetet sociale, i mohon këto akuza, megjithatë ka vendosur të largohet nga detyra.

Reagimi

Të shërbyerit si ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi ka qenë nderi më i madh i jetës sime. Do t'i jem përgjithmonë mirënjohës pesidentit Donald J. Trump dhe sekretarit të Shtetit Marco Rubio që më besuan privilegjin e jashtëzakonshëm për të përfaqësuar vendin më të madh në historinë e botës.

Që nga dita ime e parë si ambasadore, kam punuar pa u lodhur për të çuar përpara agjendën “America First” të presidentit Trump, për të forcuar aleancën tonë strategjike me Greqinë dhe për të arritur rezultate konkrete në dobi të popullit amerikan.

Gjatë mandatit tim, kemi ndihmuar në sigurimin e marrëveshjeve historike për zgjerimin e eksporteve amerikane të gazit natyror të lëngshëm drejt Evropës, kemi çuar përpara programin për të ulur varësinë e Evropës nga energjia ruse, kemi forcuar partneritetin tonë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me një aleat të rëndësishëm të NATO-s, si dhe kemi zgjeruar mundësitë për bizneset dhe investimet amerikane në të gjithë rajonin.

Jam veçanërisht krenare për rolin që ambasada jonë ka luajtur në forcimin e dominimit energjetik amerikan, në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe në garantimin që Shtetet e Bashkuara të mbeten udhëheqësi i pazëvendësueshëm në Evropën Juglindore.

Këto arritje janë dëshmi e lidershipit të guximshëm të presidentit Trump, përkushtimit të sekretarit Rubio ndaj diplomacisë amerikane dhe punës së jashtëzakonshme të burrave dhe grave që i shërbejnë vendit tonë çdo ditë.

Dëshiroj gjithashtu të trajtoj akuzat e ngritura së fundmi ndaj meje. Këto akuza janë të pavërteta dhe kam ndërmend të mbroj me vendosmëri emrin, reputacionin dhe integritetin tim.

Kam kushtuar gjithë jetën time profesionale luftës për drejtësi, mbrojtjes së asaj që është e drejtë dhe vlerave që e bëjnë Amerikën të jashtëzakonshme. Nuk do të lejoj që akuzat e rreme të përcaktojnë dekadat e shërbimit tim publik.

Mirënjohja dhe respekti im për presidentin Trump dhe sekretarin Rubio mbeten të palëkundura. Jam krenar për atë që arritëm së bashku dhe do të jem gjithmonë një mbështetës besnik i Presidentit Trump dhe i misionit të tij për ta bërë Amerikën sërish të madhe (Make America Great Again).

Edhe pse koha ime si ambasadore mund të jetë duke ardhur drejt fundit, përkushtimi im ndaj presidentit Trump, lëvizjes America First dhe vendit që dua nuk do të përfundojë kurrë.

Ka qenë nderi më i madh i jetës sime t'i shërbej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zoti e bekoftë presidentin Trump, Zoti i bekoftë diplomatët tanë të jashtëzakonshëm dhe pjesëtarët e forcave tona të armatosura, dhe Zoti e bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!


Video