Pse vidhen fondet e BE-së në Shqipëri? Drejtuesja e Agjencisë së Auditit shkel hapur ligjin

15 Janar 2024, 19:30Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese e fondeve IPARD (majtas) dhe drejtuesja e Agjencisë së Auditit, Alba Qirjazi (djathtas)

Në raportin për vitin 2022, Komisioni Europian thotë se ka gjetur abuzime me fondet IPARD në vlerën e 47 milionë eurove në shtatë vende të ndryshime ku mbështet zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Nga kjo shumë, rreth 75 për qind, ose 33 milionë euro dyshohen fondet e abuzuara vetëm në Shqipëri. Për këtë, OLAF, njësia antikorrupsion e BE-së ka nisur një hetim, ndërsa Komisioni si masë parandaluese ka vendosur pezullimin e fondeve të reja në kuadër të IPARD III. Se ku kanë përfunduar këto para është duke hetuar edhe SPAK. Aktualisht hetimi është në fazën paraprake dhe në lupë është edhe Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës së Akredituar të BE-së.

Kjo agjenci është krijuar që në vitin 2009 përmes një vendimit të këshillit të ministrave. Ajo aktualisht funksionon në bazë të një ligjit të miratuar në shtator të vitit 2016-të dhe ka për detyrë e përgjegjësi që të garantojë ligjshmërinë, pajtueshmërinë, efikasitetin dhe parandalimin e korrupsionit me fondet e BE-së përmes auditimit të të gjitha njësive të qeverisjes qendrore e vendore, individëve, apo personave juridikë privatë që përfitojnë nga këto fonde.

Por, shifra prej 33 milionë eurosh të dyshuara si të abuzuara në vendin tonë në kuadër të fondeve IPARD II sugjeron se agjencia ka dështuar me sukses në misionin e saj. Arsyet? Prej të paktën katër vitesh, vetë kjo agjenci është në shkelje të rëndë të ligjit mbi të cilin funksionon. Ligji parashikon që agjencia drejtohet nga Këshilli Mbikëqyrës i përbërë nga tre anëtarë dhe drejtori i përgjithshëm. Por, prej tre vitesh Drejtuesja e kësaj agjencie, Alba Qirjazi ka shpërfillur këtë kërkesë të ligjit dhe ka përvetësuar kompetencat e Këshillit Mbikëqyrës.

Mandati i Këshillit Mbikëqyrës, të përbërë nga Ana Sakiqi, Elada Kalaja dhe Hysen Çela ka përfunduar në nëntor të vitit 2020. Sipas ligjit, Alba Qirjazi duhet të raportonte zyrtarisht te Këshilli i Ministrave për rinovimin e mandatit, për të shmangur vendosjen në pikëpyetje të objektivitetit të raporteve vjetore që agjencia dorëzon në Komisionin Europian për menaxhimin e fondeve të BE-së. 

Voxnews.al mëson se zyrtarisht, Alba Qirjazi ka justifikuar shkeljen e ligjit te partnerët europianë me pretendimin se ka kërkuar amendimin e ligjit dhe heqjen e Këshillit Mbikëqyrës. Ligji aktual thotë se Këshilli Mbikëqyrës drejton këtë agjenci dhe ka për kompetencë miratimin e programeve të punës vjetore, miratimin e buxhetit të agjencisë, strukturën dhe pagat e punonjësve dhe deri te monitorimi i funksionimit të agjencisë, përfshirë këtu monitorimin e veprimtarisë së drejtorit të përgjithshëm. 

Por, prej 17 nëntorit 2020, Këshilli Mbikqyrës i Agjencisë së Auditimit të Fondeve të BE-së nuk ka ushtruar dot këto detyra, pasi i ka mbaruar. Prej këasaj date deri më sot, Agjencia e Autoritetit Auditues  nuk ka ngritur kërkesën pranë Këshillit të Ministrave për ringritjen e një Këshilli të ri Mbikqyrës. Për me tepër, Drejtuesja e Përgjithshme, Alba Qirjazi ka justifikuar pranë Komisionit Europian se ka tejkaluar këtë procedurë, pasi Këshilli Mbikëqyrës pengon autonominë e institucionit në lidhje me procedurat e BE-së.

Burime të Voxnews.al pohojnë se Qirjazi ka raportuar te Komisioni Europian se ka përgatitur ndryshimet ligjore dhe i ka paraqitur pranë Këshillit të Ministrave për amendim, por kjo është alibi për të justifikuar shkeljet e rënda të ligjit, pasi aktualisht nuk ka asnjë kërkesë të dorëzuar prej saj për amendim të ligjit.

Veprimet e drejtueses ngrenë dyshime të forta se arsyeja e vërtetë pse nuk ka as amendim ligji dhe as këshill mbikëqyrës funksional në këtë agjenci është për të vijuar me shkeljet e rënda në këtë agjenci, ku Alba Qirjazi ka tejkaluar kompetencat, ku vetë propozon, vetë firmos dhe po vetë vulos.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video