Investigimi/ Shoferi i Ministrit Ulsi Manja, ortak biznesi me dy drejtorë të Burgjeve

21 Dhjetor 2023, 15:26Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Admir Abrija, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Paulin Rajta, drejtor i policisë në Burgje, Ulsi Manja, ministri i Drejtësisë

Kjo dosje do t’i dorëzohet SPAK-ut, për të vazhduar ata me pjesën e hetimit deri në ndëshkimin e këtyre zyrtarëve, e këtyre shushunjave, këtyre njerëzve strukur qosheve të zyrave të shtetit, që janë aty jo për t’i shërbyer qytetarit, por për xhepat e tyre”.

Ky është një fragment i vogël i daljes së parë mediatike të Ulsi Manjës si ministër i Drejtësisë për të denoncuar publikisht korrupsionin e inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në rajonin e Fierit.

Si titullar i institucionit që ka në dorë njësinë antikorrupsion të Qeverisë, Manja u premtoi qytetarëve që denoncojnë çdo aferë korruptive të zyrtarëve pranë kësaj njësie se do të gjejnë drejtësi.

Por, nëse sipas fjalëve të Ulsi Manjës, inspektorët e AKU në Fier, që përfitojnë nga pozita e zyrtarit janë shushunja, atëherë vetë ministri i Drejtësisë është kryeshushunja.

Pse?

Voxnews.al po ju sjell më poshtë me dokumente autentike se si Ulsi Manja me lidhjet e tij farefisnore, shoqërore dhe nepotike dyshohet se ka shfrytëzuar postet që ka mbajtur në pushtet për të zaptuar jo vetëm detyrat e zyra shtetërore, por edhe për të ngritur një rrjet biznesesh me të besuarit e tij të paktën që prej vitit 2018.

10 janar 2018-të është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Bizneseve kompania “General Green Energy”, me NIPT L81310062A. Kompania ka aktualisht katër aksionerë.

Aksionet më të mëdha zotërohen nga kompania ‘Ylberi’ me 67 për qind. 20 për qind të aksioneve i zotëron Paulin Rajta, njeriu i Ulsi Manjës dhe aktualisht drejtor i Policisë së Burgjeve. 10 për qind të aksioneve ka shtetasi Musa Selami dhe më 3 për qind shtetësja, Kladjola Spahiu.

Investigimi/ Shoferi i Ministrit Ulsi Manja, ortak biznesi me dy drejtorë

Nga themeluesit e kompanisë, vetëm Paulin Rajta zotëron ende aksione te ‘General Green Energy’. Dy aksionerët e tjerë themelues janë larguar nga kompania…të paktën zyrtarisht.

Investigimi/ Shoferi i Ministrit Ulsi Manja, ortak biznesi me dy drejtorë

Sipas aktit të themelimit të datës 21 dhjetor 2017-të, që kompania ka depozituar në QKB themeluesit e saj, përveç Paulin Rajtës me 33 për qind, janë shtetasit Blerta Abrija me 33 për qind dhe Flamur Ndreka me 34 për qind.

Çfarë i lidh bashkë këta shtetas në këtë sipërmarrje të pazakontë?

Nga të dhënat e siguruara nga Voxnews.al, Blerta Abrija rezulton bashkëshortja e Admir Abrijas, emëruar nga Ulsi Manja drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve më 17 dhjetor të vitit 2021, pak javë pasi vetë Manja kishte marrë detyrën e ministrit të Drejtësisë. Shtetasi tjetër, Flamur Ndreka ndërkohë rezulton se është shoferi personal i Ulsi Manjës.

Pak muaj pas themelimit të kompanisë, Blerta Abrija shet aksionet e saj, por mbetet brenda kompanisë si administratore.

Nga të dhënat e depozituara në QKB më 16 nëntor të 2018-ës transferon 33 për qind të aksioneve që ka në këtë kompani te kompania “Primo Security Solutions”.

Investigimi/ Shoferi i Ministrit Ulsi Manja, ortak biznesi me dy drejtorë
Blerta Abrija, 'Primo Security Solutions'

Duke iu referuar po të dhënave të QKB-së, kompania “Primo Security Solutions”, me NIPT L18322701N, rezulton në pronësi të Blerta Abrijas me 54 për qind të aksioneve dhe të Hasan Abrijas, babai i Admir Abrijas, me 46 për qind të tyre.

Transaksionet e dyshuara për të fshehur pronësinë reale të kompanisë vijojnë edhe më tej.

Tre muaj pasi mori aksionet nga Blerta Abrija, kompania ‘Primo Security Solutions’, ku aksionere kryesore është sërish Blerta Abrija ja shet aksionet e veta kompanisë ‘Ylberi’. Kompania është themeluar që në vitin 2000 dhe është në pronësi 100 për qind të shtetasi Ylber Çupi.

Mes aktiviteteve që regjistron në QKB është edhe ai në fushën e kromit në Bulqizë por edhe në Martanesh.

Në ekstraktin historik të QKB-së për kompaninë ‘General Green Energy’ të dhënat e fundit që janë depozituar janë të qershorit 2020, jepen detaje me transfertat e aksioneve të Blerta Abrijas dhe të Paulin Rajtës, por nuk ka asnjë të dhënë për aksionet e Flamur Ndrekës, shoferit personal të Ulsi Manjës, gjithashtu dibran si ministri i Drejtësisë.

Por, veç sipërmarrjes në fushën e energjisë së pastër, shoferi dhe patrioti i Ulsi Manjës rezulton pronar edhe në një biznes tjetër. Ai zotëron gjysmat e aksioneve të kompanisë ‘Dibra F&P’.

Gjysmën tjetër të aksioneve i zotëron shtetasi Patriot Ndreka. Kompania ka si objekt edhe transportin kombëtar dhe ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve.

Kjo është lista e bizneseve të njerëzve të afërt dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ulsi Manjës dhe ndoshta edhe arsyeja se përse gjendja e sigurisë nëpër burgjet shqiptare, degradimin e të cilës e tregoi ngjarja e Peqinit.

Admir Abrija dhe Paulin Rajta janë që të dy emërimet e drejtpërdrejta të Ulsi Manjës në sistemin e burgjeve, i pari si drejtor i Përgjithshëm, i dyti si drejtor i përgjithshëm i policisë së burgjeve.

Investigimi/ Shoferi i Ministrit Ulsi Manja, ortak biznesi me dy drejtorë
Paulin Rajta, drejtor i përgjithshëm i policisë së burgjeve

Megjithatë, lidhjet e tyre në biznes me njëri-tjetrin, por edhe me shoferin e Ulsi Manjës sugjerojnë se Ulsi Manja është kryeshushunja që ka ngritur një grup të strukturuar kriminal brenda Ministrisë së Drejtësisë dhe në vetë sistemin e burgjeve, që SPAK duhet ta hetojë.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video