Paratë për financimin e projekteve, Shqipëria e ka humbur trenin e Procesit të Berlinit

21 Nëntor 2023, 15:56Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Paratë për financimin e projekteve, Shqipëria e ka humbur trenin e Procesit të Berlinit


Vendet europiane kanë vendosur mbi 2 miliardë euro financime të projekteve infrastrukturore në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të nismës së ‘Procesit të Berlinit’.

Fondet nuk kanë një tavan, por disbursohen mbi bazën e projekteve që dorëzohen nga vendet ballkanike, përfshirë këtu Shqipërinë, përputhshmërisë së këtyre projekteve me objektivat strategjikë të vendosur nga BE në fushën e klimës dhe të ndërlidhjes, si dhe në baza të vlerësimit kosto-efektivitet.

Paratë janë dhënë pas samitit të Triestes në vitin 2017-të, ku nga të gjitha vendet e rajonit vetëm Shqipëria doli thatë, duke mos siguruar asnjë projekt fitues për financim. Në atë kohë, Shqipëria u përpoq që të tërheqë financim për gjashtë projekte në infrastrukturë rrugore dhe atë energjitike. Por, asnjëri prej tyre s’u miratua.

Përpjekja e parë lidhej me financimin e aksit rrugor nga Shkodra deri në Kashar, pjesë e projektit të njohur si ‘Korridori Blu’. Për këtë projekt, Mali i Zi, Bosnja dhe Kroacia kanë përfituar mbështetje. Ajo që e rrëzoi projektin shqiptar, sicc pohojnë burime për Voxnews.al burime familjare me diskutimet e asaj kohe ishte kostoja e fryrë që ishte paraqitur dhe një studim fizibiliteti i cunguar.

Dështimin për ta ndërtuar me fondet e BE-së, qeveria e kompensoi duke e dhënë me koncesion segmente të këtij aksi, duke nisur nga Miloti, deri në Fier. Vlera e këtyre koncesioneve është konsideruar e fryrë ndërsa ka pasur akuza e dyshime edhe për korrupsion në përzgjedhjen e kompanive fituese.

Një tjetër financim i BE-së që u hodh në erë nga Qeveria shqiptare ishte ai për zgjerimin e dy kalatave në Portin e Durrësit. Procesi i Berlinit vendosi në dispozicion 27.7 milionë euro për këtë investim. Por, dhënia me koncesion e këtij porti për ta shndërruar në port jahtesh i dogji edhe këto fonde.

Tre projektet që Shqipëria ka arritur që të tërheqë vëmendjen dhe paratë e BE-së janë për Bypass-in e Tiranës, me kosto rreth 150 milionë euro dhe rikonstruksioni i Hidrocentralit të Fierzës me vlerë 42.7 milionë euro dhe interkonjeksionin energjitik me Maqedoninë e Veriut me kosto 70 milionë euro.

Në total, shifra përbën rreth 10 për qind të fondeve të vëna në dispozicion për vendet e rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit dhe asnjëri prej tyre nuk është një investim strategjik madhor, sicc janë projektet e planifikuara, si shembull në Kosovë, ku vetëm për autostradën Prishtinë-Merdare në dispozicion janë 207 milionë euro.

Megjithatë, problemi më i madh nuk është humbja e mundësisë në të shkuarën për të siguruar financime përmes granteve, apo kredive të buta nga ana e Bashkimit Europian për projektet prioritar. Problemi është se nga gabimet e së shkuarës nuk po vihet mend.

Pse? Qeveria shqiptare njoftoi së fundmi nisjen e studimit të fizibilitetit dhe të hartimit të projektit për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Në tender u shpall fitues një bashkim kompanish me ofertë prej 1.6 milionë eurosh.

Kompania duhet të dalë brenda 14 muajve me një projekt konkret dhe një preventiv të kostos së tij. Paraprakisht, vlerësohet se ndërtimi i kësaj hekurudhe, deri në vijën ndarëse me Kosovën kap një kosto deri në 750 milionë euro.

Ky është vlerësimi paraprak, por duke u nisur nga përvojat e së shkuarës, kur bëhet fjalë për projekte të këtyre përmasave ato dalin jashtë parashikimeve. Si shembull, Rruga e Kombit u nis të ndërtohej për 250 milionë euro, por deri më tani ka tejkaluar 1.2 miliardë eurot dhe ende nuk ka përfunduar.

Një fat të ngjashëm mund të ketë edhe hekurudha ambicioze…e Kombit.

Paratë për financimin e projekteve, Shqipëria e ka humbur trenin

Paratë për financimin e projekteve, Shqipëria e ka humbur trenin

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video