“Prokurori i familjes Meta”/ Mërtiri zbulon skandalin: Klodian Braho udhëtoi me trafikantë droge, u mbylli dosjen e OFL-së

19 Dhjetor 2023, 12:38Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Klodian Braho/ SPAK/ Mirel Mërtiri

Prokurori i Posaçëm, Klodian Braho, dyshohet se ka mashtruar komisionet e vettingut përmes falsifikimit të dokumenteve duke fshehur prej dosjes së tij kontakte me persona të dënuar dhe me precedentë penalë.

Kallëzimi është dorëzuar në SPAK nga Mirel Mërtiri. Ai akuzon Brahon për falsifikim të dokumentave, falsifikim të formularëve dhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Dy akuzat e para lidhen me dyshimet se Klodian Braho ka kontakte me persona të papërshtatshëm, që cenojnë një prej kritereve kryesore të vettingut, atë të integritetit dhe pastërtisë së figurës.

Kontakti i papërshtatshëm i prokurorit të SPAK, sipas kallëzimit të Mirel Mërtirit është shtetasi shqiptar, Bledar Gavelli, njohur edhe me emrin Ervis Gavelli i datëlindjes 7 maj 1982.

Ky shtetas rezulton i dënuar në Itali dhe i hetuar të paktën në dy raste në Shqipëri, në 2016-n për pastrim të produkteve të veprës penalë dhe në 2020 në kuadër të operacionit OFL.

Akuza e tretë për ushtrim të ndikimit të paligjshëm lidhet me dyshimet se Klodian Braho ka zhbllokuar pronat e Gavellit, që u sekuestruan gjatë operacionit ‘Forca e Ligjit’ në mars të vitit 2020.

Bledar Gavelli, sipas dokumentacionit të dorëzuar në dosjen e kallëzimit, rezulton se është arrestuar dhe dënuar me tre vite burgim nga autoritetet italiane për vepra penale në fushën e narkotikëve. Arrestimi ka ndodhur në fund të vitit 2004. Në 2008-n, që përkon me periudhën e përfundimit të dënimit me tre vite burgim, Bledar Gavelli ndryshon emrin në Ervis Gavelli.

Nga të dhënat e sistemit TIMS, kopje të të cilave janë përfshirë në dosjen e kallëzimit, rezulton se më 24 shkurt të vitit 2012, në kohën që sipas CV-së së tij, Klodjan Braho ka qenë prokuror në Prokurorinë e Beratit, ka udhëtuar në drejtim të Greqisë së bashku me Ervis Gavellin dhe dy shtetas të tjerë. Shoqërimi i prokurorit me personin me precedentë penalë është regjistruar përmes pikës kufitare të Kakavijës.

Sipas të dhënave të TIMS, Braho është regjistruar si drejtuesi i mjetit që ka kaluar në pikën kufitare, ndërsa pasagjerë ka qenë Ervis (Bledar Gavelli), Sokol Myftari dhe Romir Cufe. Në kallëzim thuhet se ata kanë qëndruaër për dy ditë në Greqi në hotelin ‘Blazer Suites’ në Athinë.

Data e kthimit është regjistruar më 26 shkurt, ku shofer ka qenë Ervis Gavelli dhe Klodian Braho dhe dy shtetasit e tjerë pasagjerë.

Në deklarimet e bëra në kuadër të procesit të vettingut, që Klodian Braho e ka kaluar që në vitin 2019-të nuk reflektohen hyrje-daljet dhe udhëtimi me të njëjtin mjet me Bledar Gavellin.

Reflektimi i tyre, sipas kallëzimit, mund të çonte në një vendimmarrje tjetër nga ana e këtyre organeve për Klodjan Brahon.

Lidhja mes prokurorit Klodjan Braho me të dënuarin për drogë përforcohet edhe nga dyshimet se ky i fundit ka ndikuar në vitin 2020, kur në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit u sekuestruan pronat e Bledar Gavellit dhe të vëllait të tij, Leonat Gavelli.

Leonat Gavelli është dënuar nga autoritetet italiane si drejtues në një rrjet të trafikut të kokainës nga Kolumbia dhe destinacion tregun e narkotikëve në Zvicër dhe Itali.

Një dosje për vëllezërit Gavelli dhe bashkëpunëtorët e tij shqiptarë ka ardhur në drejtim të Shqipërisë nga autoritetet italiane në vitin 2007, ku thuhej se kokaina sigurohej në Kolumbi nga Leonat Gavelli, dhe më tej ia dorëzonte vëllait dhe kushëririt në Itali, që më pas e shisnin edhe në Zvicër.

Dosja e OFL për justifikimin e pasurive për dy vëllezërit në gusht të 2020 u referua në SPAK, ku më pas pasuritë u zhbllokuan me arsyetimin se ato justifikoheshin me burime të ligjshme, pavarësisht se bëhej fjalë për prona dhe të ardhura prej qindra mijëra eurosh, ndërsa dy vëllezërit rezultojnë me biznese modeste, njëri si pronar i një lokali në fshat dhe tjetri si zotërues i pak aksioneve në një fasoneri.

Për këtë arsye, kallëzuesi Mirel Mërtiri ngre dyshime dhe kërkon nga SPAK që të hetojë nëse dosja për pasuritë e dy vëllezërve Gavelli është mbyllur nën ndikimin e paligjshëm të prokurorit Klodian Braho.

Veç lidhjeve të dyshuara me elementë të botës së krimit, Klodian Braho, me vendlindje në Skrapar është akuzuar nga mediat edhe për lidhjet me Ilir Metën dhe se ky i fundit ka sponsorizuar karrierën e tij në drejtësi përmes lidhjeve të nëndheshme në këtë sistem.

Më poshtë keni kallëzimin e shtetasit, Mirel Mërtiri, ndaj prokurorit të SPAK, Klodian Braho: Klikoni linkun PADIA SPAK

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video