Ndërhyrja e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm në të paktën tre operacione ngrenë dyshime se me, ose pa qëllim kanë sabotuar punën e SPAK.
Burime të Voxnews.al pohojnë se Prokuroria e Posaçme ka përcjellë jozyrtarisht shqetësime në lidhje me fazën e parë të operacionit ‘Tempulli’ në mes të muajit shtator, ku u arrestuan mbi 10 persona me urdhër të prokurorisë së Elbasanit.
Pjesa dërrmuese e të arrestuarve u akuzuan për prodhim dhe shpërndarje lëndësh narkotike. Por, aksioni i prokurorisë së Elbasanit, sipas burimeve të Voxnews.al ka dekonspiruar punën e Prokurorisë së Posaçme, që kishte vënë nën mbikëqyrje dhe përgjime prej disa kohësh disa prej të arrestuarve dhe personave të tjerë të shpallur në kërkim nga prokuroria e Elbasanit pas këtij aksioni.
Mbikëqyrja e këtyre personave nga SPAK, thonë burimet bëhej nën dyshimet se ata vepronin në kuadër të një grupit të strukturuar kriminal mjaft aktiv në trafikun dhe shpërndarjen e drogës në Shqipëri, që nga hashashi deri te kokaina dhe heroina.
Përmes mbikëqyrjes dhe përgjimeve të shpërndarësve, që janë hallka e fundit e zinxhirit të rrjeteve të trafikut, prokurorët e posaçëm synonin sigurimin e provave se i gjithë aktiviteti zhvillohej në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe nuk ishte një sipërmarrje personale thjesht personale e atyre që u arrestuan, apo shpallën në kërkim.
Rasti i dytë, thonë burimet, lidhet me aksionin e prokurorisë së Vlorës të ndërmarrë në muajin tetor me sekuestrimin e mbi 13 mijë metra katrorë tokë në zonën e Himarës. Prokuroria e Vlorës mori nën akuzë ish-topografin e Bashkisë së Himarës dhe motrën e tij për këtë rast nën dyshimet se kanë përfituar pronën përmes falsifikimit.
Por, dosja e prokurorisë së Vlorës i mbivendoset asaj të nisur nga SPAK ndaj Artan Gaçit, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka i shpallur investitor strategjik dhe që është marrë nën hetim nga prokurorët e posaçëm pikërisht mbi dyshimet se ka përfituar tokën falë falsifikimit të dokumentacionit.
SPAK dyshon në këtë dosje se pas falsifikimit të dokumentacioneve të pronësisë në këtë zonë nuk qëndron thjesht topografi i marrë nën akuza nga prokuroria e Vlorës, por një grup i fuqishëm kriminal që këtë veprimtari e ka ushtruar ndër vite. Për këtë dosje, burimet thonë se në lupën e SPAK janë ish-drejtore hipotekash, ish-prefektë, kryetarët dhe ish-kryetarët e bashkive të Himarës dhe dhjetra zyrtarë të tjerë të pushtetit vendor dhe atij qendror.
Sipas burimeve, hetimet në këtë pjesë janë ende në fazën e mbledhjes së dëshmive dhe të dokumentacioneve dhe ndërhyrja e prokurorisë së Vlorës në këtë rast mund të prishë provat, vështirësojë apo devijojë hetimin e SPAK.
Rasti i tretë që dyshohet se ka cenuar hetimet e SPAK lidhet me aksionin e ndërmarrë në fund të muajit shtator, kur u arrestua Artan Tafani, njohur si vrasës i grupit të Laert Haxhiut. Aksioni u shtri në Elbasan dhe Lushnje.
Në këtë aksion, prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm dhe policia njoftuan zbardhjen e autorësisë për gjashtë vrasje me pagesë. Por, çfarë mbeti pa zbardhur ishin porositësit e këtyre vrasjeve, pra personat që kanë paguar grupin e Laert Haxhiut për të kryer këto ekzekutime.
Burimet thonë se zbardhja e porositësve të këtyre vrasjeve po hetohej nga SPAK në kuadër të dosjes hetimore që ka për Laert Haxhiun, ku të dyshuarit si pjesë e grupit të tij ishin nën mbikëqyrje, apo përgjime.
***
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.