Mirel Mërtiri i është përgjigjur për herë të parë publikisht akuzave për inceneratorët. Në një intervistë televizive, Mërtiri ka treguar procedurën për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.
Mërtiri ka thënë se dosja e SPAK ndaj tij është e mbushur me të pavërteta. Ai akuzoi prokurorin e SPAK, Klodian Braho për se ka sajuar gjithçka që ndodhet në dosje.
Mërtiri akuzoi prokurorin Braho se ka paraqitur në dosje fatura të falsifikuara duke bërë që në burg të përfundojnë shumë persona të pafajshëm. Ai tha se prokurori e ka stisur dosjen për t'i shërbyer dikujt në politikë apo në privat.
“Nëse ju dëshironi që unë të flas në emër të zotit Koka, unë nuk e di pse zoti Koka apo ministria pranoi këtë ofertë nga ana jonë. Unë di të them që zoti Koka dhe të gjithë ata që janë akuzuar për dosjen e Elbasanit, ndodhen në mënyrë të padrejtë në burg. A e dini ju se njerëzit sot janë në burg në mënyrë të padrejtë?
Të gjithë faturat që SPAK ka paraqitur në dosjen hetimore janë fatura dhe akte të hetuara që prej vitit 2017. Pra, nuk ishte hera e parë që këto fatura hetoheshin. E dyta si mundet të thuhet se këtu është vjedhur, është abuzuar, kur vetë vlerësuesi i emëruar nga SPAK, thotë se vlera e investimit për impiantin e përpunimit të mbetjeve në Elbasan, është më e madhe se vlera e kontratës.
E gjithë kjo dosje është dosje e stisur. E gjitha është një dosje e stisur nga prokurori i SPAK. Prokurori quhet Klodian Braho. Unë mendoj se e ka bërë për arsye që i ka shërbyer dikujt në politikë ose dikujt në privat", tha Meril Mërtiri.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Çim Peka, Mërtiri ka thënë se inceneratori i Elbasanit ka qenë në pronësi të përkohëshme për një periudhë 7 vjeçare të kompanisë së familjes së tij.
I pyetur se si ka mundur të fitojë koncesionin 22 milionë euro pa patur eksperiencë për ndërtimin e impianteve, Mërtiri tha se nënkontraktorët që kryen punimet janë firma italiane me eksperiencë disa vjeçare në fushë.
Në “Syri Tv”, Mërtiri tha se si çdo qytetar tjetër ka njohje me politikanë të cilët nuk i ndan në të majtë apo të djathtë, kur u pyet për lidhjet me politikën. Ai shtoi se me Ëngjëll Agaçin, sekretarin e kryeministrit, nuk ka njohje dhe nuk është takuar asnjëherë.
Pjesë nga intervista:
Çim Peka: A jeni ju bosi “de facto” i inceneratorëve?
Mirel Mërtiri: Pas shumë e shumë kohësh kur unë dhe familja ime dëgjojmë lloj-lloj akuzash, shtrembërime faktesh. Si është e mundur që në fjalorin shqiptar “pronar de-facto” nuk ekziston. Nëse në kodin penal apo civil shprehet apo sqarohet se çfarë do të thotë pronar de-facto, unë do ju jap përgjigjen.
Unë akuzohem për akte të pakryera ndonjëherë nga ne. Nëse do të marrim të gjithë impiantet me radhë dhe do u kthej përgjigje. Në impiantin e Elbasanit, familja ime është pronare e përkohëshme të impiantit të Elbasanit. Shoqëria “Albtek” është një shoqëri që duhet të ekzistonte në administrim të familjes time vetëm për 7 vjet. Në përfundim të vitit të 7-të shoqëria si dhe kontrata i kalonte Ministrisë së Energjitikës dhe Bashkisë së Elbasanit.
Çim Peka: Kompania juaj pa asnjë eksperiencë në këtë fushë ka fituar 22 milionë euro për të ndërtuar inceneratorin?
Mirel Mërtiri: Nuk është një tender, nuk është një kompani në pronësi, shoqëri që kanë marrë pjesë në ndërtimin e këtij impianti kanë eksperiencë disa vjeçare në shtetin italian.
Belind Këlliçi: Ke qenë i ftuar në komisionin për inceneratorët por nuk keni ardhur.
Mirel Mërtiri: A mund të më thoni, ku e keni nisur këtë ftesë? Në cilën adresë? Nuk mund ta gënjejmë opinionin publik, unë nuk kam marrë asnjë ftesë.
Familja ime ka ndërtuar dhe ka qenë pronare për një kohë të impiantit në Elbasan.
Belind Këlliçi: Si mundet të merrni këtë kontratë të majme nga qeveria shqiptare me një procedurë që nuk ekzistonte, ju personalisht keni marrëdhënie me politikanë shqiptarë?
Mirel Mërtiri: Të jetosh në Shqipëri patjetër që duhet të kesh marrëdhënie me politikanë shqiptarë. Jemi njerëz, jemi qenie humane dhe në ambientet tona shoqërore nuk mund t’i ndajmë të majtë apo të djathtë.
Belind Këlliçi: Me zotin Engjëll Agaçi keni patur kontakt apo njohje personale?
Mirel Mërtiri: Ju po e filloni bisedën me emra të përveçëm, gjë të cilën unë nuk kam për ta bërë sot. Zotin Agaçi po të jap përgjigje, as nuk e njoh as nuk e kam takuar.