
Riformatimi i Qeverisë nga ana e Kryeministrit Edi Rama, duke ndarë ekonominë nga Ministria e Financave pasoi një proces, që në thelb do të duhej të ishte teknik për të ndarë fushat e veprimit dhe lëndore të ministrisë së re që u krijua.
Mes paqartësive që buruan nga ndarja e ekonomisë me financat ishte edhe privatizimi, apo dhënia në përdorim te private të ndërmarrjeve dhe pronave shtetërore.
Ligji është miratuar që në vitin 2008, në atë kohë përmes një akti normativ nga ana e Qeverisë së Sali Berishës dhe i kundërshtuar nga socialistët, në atë kohë në opozitë.
Ideja fillestare e socialistëve ishte përcaktimi nëse për ligjin në fjalë do të duhej të përgjigjej Ministria e Financave, apo ministria e re e ekonomisë dhe kështu u propozua drafti i parë në komisionet përkatëse.
Si komision përgjegjës për shqyrtimin e propozimit ishte Komisioni për Ekonominë. Propozimi ishte i thjeshtë dhe vetëm me dy nene.
Në nenin e parë propozohej që privatizimi dhe dhënia për përdorim i ndërmarrjeve shtetërore i kalonte ministrisë përgjegjëse për ekonominë. Neni i dytë ishte hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve.
Por, çfarë ndodhi?
Brenda një seance në komisionin e Ekonomisë, deputetja socialiste, Blerina Gjylameti depozitoi dy amendime të draftit. I pari lidhej me nenin që përcaktonte kalimin përmes shitjes, apo dhënies në përdorim të pronës shtetërore te privati. Në këtë nen, Gjylameti propozoi edhe mundësinë e shkëmbimit, apo të dhurimit.
“Kriteret për vlerësimin e pronave që privatizohen apo shkëmbehen, si dhe procedurat e format e privatizimit, mënyrat e shkëmbimit të pronës shtetërore, si dhe rastet përjashtimore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet më tej në propozim.
Sipas këtyre ndryshimeve, një investitor strategjik, si shembull, që ka dështuar me investimin në një pronë shtetërore në Theth, mund të kërkojë që shteti t’i ofrojë përmes shkëmbimit një pronë tjetër shtetërore në Vlorë, apo në zona të tjera më të lakmuara.
Njëra prej këtyre pronave mund të jetë edhe ajo e Institutit të Albanologjisë, vendosur të Sheshi Nënë Tereza, mes këtij sheshi dhe stadiumit ‘Air Albania’.
Këtë e paralajmëroi Partia Demokratike zyrtare. Lulzim Basha tha se ndryshimet e ligjit tregojnë se interesat e personave të shpallur non grata për arsye të krimit të organizuar dhe influencimit dhe korruptimit të zgjedhjeve, i kanë vënë sytë Institutit Albanologjik të Tiranës.
Pronat e Institutit të Albanologjisë janë njëra nga mijëra pronat shtetërore që janë subjekt i këtij ligji.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.