Myzyri i KPP-së rikthen tenderin me dreka e darka për bashkitë, fitues firma që ofroi më shumë!

13 Shkurt 2025, 10:09Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Jonaid Myzyri

Tenderi i shumë përfolur për promovimin e bashkive, me dreka dhe darka, është rikthyer beftas nga Komisioni i Prokurimit Publik. Procedura u hap nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i cili pas denoncimit të VoxNews e anuloi procedurën.

Një nga firmat që mori pjesë dhe kishte ofertën më të lartë, e ankimoi në KPP. Dhe, duke qenë se kreu i KPP-së është në fund të mandatit, Myzyri ka firmosur fituesin e procedurës, e cila më shumë është propagandë sesa një punë në të mirë të bashkive.

Myzyri i KPP-së rikthen tenderin me dreka e darka për bashkitë,
Faksimile: Njoftimi i fituesit nga OBP, ku fitues doli kompania OPTIMA COMMUNICATION

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur fituesin e tenderit “shërbime, materiale promocioni për Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore”, me fond limit 16.145.866 lekë.

“Me anë të këtij formulari ju informojmë se, në këtë procedurë/lot kanë marrë pjesë, FILARA me vlerë 12.270.860 lekë pa TVSH. KRISTALINA.KH me vlerë 0 (zero) lekë pa TVSH. OPTIMA COMMUNICATION me vlerë 16.009.000” thuhet në këto dokumente.

Një nga këto firma, FILARA që ofroi më pak u skualifikua. Sipas dokumenteve, kjo firmë u skualifikua për arsye s’ka dëshmi profesionale për videograf. “Dëshmitë për 2 videograf, dëshmitë për 1 teknik audio dhe dëshmia për 1 grafik dizanjer, janë të lëshuara nga subjekti ‘Filara Education’, i cili nuk është as i licencuar dhe as i akredituar për lëshimin e këtyre dëshmive” thuhet në këto dokumente.

Myzyri i KPP-së rikthen tenderin me dreka e darka për bashkitë,
Faksimile: Vendimi i KPP-së që ndryshoi vendimmarrjen për këtë tender

Tenderi i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara për video dhe takime me dreka-darka, me vlerë 164 mijë euro para zgjedhjeve për promocionin e bashkive, u ankimua në KPP. Ankues ishte firma OPTIMA, e cila fitoi betejën në këtë institucion.

Kreu i Komisionit, Jonaid Myzyri ka firmosur të pranojë kërkesën, pavarësisht se procedura ishe anuluar më parë. Në këtë mënyrë u shpall edhe fituesi, ku rezultoi oferta më e lartë. Në fakt, vendimmarrja e KPP-së është e njohur në shumë raste, ku firmat nuk “garojnë” në APP por ndërhyjnë në “apel” dhe fitojnë garat. Një skemë që e kanë bërë disa firma, si Alko Impex apo edhe firma REJ.

Myzyri i KPP-së rikthen tenderin me dreka e darka për bashkitë,
Në foto: Denoncimi i VoxNews për procedurën e tenderit me dreka-darka për promovimin e bashkive para zgjedhjeve

Në muajin nëntor 2024, VoxNews denoncoi këtë procedurë, e cila kishte një fond prej 164 mijë euro. Agjencia kërkonte një mori shërbimesh, madje edhe 5 video prezantuese, për promovimin e aktiviteteve të realizuara nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, ku të evidentohen asistenca dhe mbështetja e institucionit kundrejt bashkive.

Myzyri i KPP-së rikthen tenderin me dreka e darka për bashkitë,
Në foto: Anulimi i tenderit pas denoncimit të VoxNews

Kërkoheshin 5 video me animime, të përshtatura për publikim edhe në rrjete sociale. Video të shkurtra të cilat përcjellin ide komplekse në një kohë të shkurtër duke komunikuar objektivat, arritjet, risitë dhe njoftimet e Agjencisë. Këto video të jenë 1-2 minuta.

Ata kërkojnë një kompani që t’u bëjë edhe mbledhjet. Kërkohet një organizator për 10 mbledhje të Këshillit Konsultativ, ku 6 takime në Tiranë dhe 4 takime në qytete të tjera me distancë 20-80 km dhe 2 takime në qytete të tjera me distancë 81-280 km nga Tirana.

Kërkohet rezervim salle për 1/2 ditë, me kapacitet 60 - 80 persona. Lista vijonte me kërkesën për transportin e 30 personave jashtë Tirane në distancë 150-200 km larg. “Akomodim në hotel për 40 persona, 2 ditë qëndrim dhe 1 natë fjetje. Ushqim për pjesëmarrësit për 4 vakte (drekë, darkë, mëngjes, drekë). Rezervim salle 2 ditë”, thuhet në një nga kërkesat.

Procedura u anulua në janar 2025, teksa Operatori i Blerjeve të Përqendruara nxori një tjetër njoftim, ku kësaj herë shkruan se “procedura do të anulohet”. Zyrtarisht shkruhet se s’ka pasur firma të interesuara. Por, KPP e riktheu procedurën duke shpallur fitues ofertën më të lartë.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video