Beteja për nëntokën. Mafia e kromit që po vret biznesmenët e minierave!

6 April 2022, 10:56Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Beteja për nëntokën. Mafia e kromit që po vret
Mafia e kromit që po vret biznesmenët e minierave!

Për dy vëllezërit e Iljaz Çalit, 36 vjeçarit që mbeti i vrarë mesnatën e 3 Marsit në autostradën Tiranë-Durrës, të vetmet dyshime bindëse janë se ekzekutimi lidhet me konfliktet për kapjen e galerive të kromit në Bulqizë.

Vëllezërit Zeqir dhe Medi Çali, janë dy njerëzit e fundit që kishte takuar viktima para se të vritej, në rrugën “Themestokli Gërmenji” në një lokal në Tiranë, “Shisha ROOM”.

Rrahim Dedja dhe Ilir Cami janë dy personat që kanë dëshmuar në lidhje me vrasjen e Iljaz Çalit. Dedja ka mohuar jo vetëm përfshirjen në vrasje, por edhe shumën që ka deklaruar dy ditë më parë vëllai i viktimës, Zeqir Çali. Ai i ka thënë grupit hetimor që bëhet fjalë për një sasi rreth 350 mijë euro mall.

Rrahim Dedja, rezulton të jetë një biznesmen kromi, që zotëron disa galeri në zonën e quajtur “Fushë-Lopë” në Bulqizë. Ndërsa Ilir Çami, rezulton të jetë pronar i kompanisë “Drini Bulqiza”, i cili ka marë leje shfrytëzimi për galeritë Nr. 45-47 deri gal 29 tek zona “D” në Bulqizë.

Me të dy këta persona viktima Iljaz Çami, i cili prej vitit 2011 zotëronte kompaninë “Çami-Metal”, kishte një konflikt të theksuar për sa i përket gërmimeve të paligjshme që kryheshin në territorin e tij të shfrytëzimit dhe moskthimin e borgjeve financiare.

Rrahim Dedja, sipas dy vëllezërve i kishte blerë një sasi prej 2400 ton mineral krom, me vlerë prej 1 milion euro. Kjo sasi financiare sipas vëllezërve Çami, nuk i ishte kthyer dhe për pasojë kishin lindur për më shumë se tre vitem konfliktet verbale mes palëve.

Burime për VoxNews thanë se  problemet me biznesin e kromit është njëra nga pistat ku po heton policia e shtetit dhe prokuroria.  Iljaz Cali nuk është viktima e vetme e cila ka lindur si pasojë e përplasjeve të bosave të minierave, të cilët duan të bëjnë sa më shumë para. Problemet me lejet minerare ka prodhuar përplasje mes bandave duke shkaktuar një mori të vrarësh.

Ligji që solli përplasjet dhe vrasjet e biznesmenëve:

Viti i mbrapsht 2009 për konçesionet e kromit, krijoi abuzime, zaptime dhe punësime në të zezë të punëtorëve. Konkurenca e pandershme dhe paraja bëri që paqja në Bulqizë të mbaronte dhe nisën përplasjet mes fiseve.

Vrasjet që tronditën minierën e Bulqizës

13 qershor 2011- Ekzekutohet në një lokal në mes të ish-Bllokut, 32-vjeçari Nadien Zeneli dhe plagosen dy shokët e tij.

20 prill 2013- Vritet biznesmeni i kromit, 40-vjeçari Shefqet Shehu, ndërsa i plagosur mbeti vëllai i tij Vehab Shehu. Ata u qëlluan në një lokal vetëm 200 metra larg komisariatit të policisë Bulqizë.

2 shtator 2013- Ekzekutohet biznesmeni  Qerim Marku, 40 vjeç, pronar i disa galerive në Zonën D, njëkohësisht person i njohur si problematik dhe me konflikte të shumta.

2 shtator 2013- Gjendet i vetëvrarë brenda në makinën e tij biznesmeni i kromit në Bulqizë, Shkëlqim Mullai.

17 janar 2014- Vritet biznesmeni  Hasan Talja në Tiranë, i cili u qëllua  me një breshëri plumbash te pragu i banesës,  42-vjeçar ndërroi jetë në spital.

4 prill 2014- Ekzekutohet dy javë pasi ishte liruar nga Apeli pronari i disa galerive të kromit, Gjin Nika, i akuzuar më herët për vrasje e plagosje, shantazhe dhe gjobëvënie.

5 dhjetor 2014- Vritet në “Rrugën e Kavajës”, brenda një restoranti përballë xhamisë, Shkëlzen Leka. Dy persona të maskuar dhe me motor kanë ndaluar para lokalit, një prej tyre ka hyrë brenda duke e qëlluar me 8 plumba.

“Mafia ka arritur të zaptojë disa galeri, duke u marrë ‘taksë’ edhe shoqërive të tjera,” tha një banor nga Bulqiza për VoxNews.al. 36 vjeçari na kërkoi që identitetin t’ia mbanim të fshehtë se mund ti ndodhte një aksident “natyror”.

Bulqiza ka qenë krenaria e Shqipërisë në industrinë e rëndë minerare, qyteza e vogël tashmë është grabitur dhe kthyer prej vitesh në vendin e makthit dhe terrorit. Qyteti verior i Bulqizësh është i kamur nën tokë por skajshmërisht e varfër mbi tokë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video