
Drejtori i Koorporatës Energjitike Shqiptare, KESH, Ergys Verdho pranoi se Shqipëria ka shitura energji elektrike në datat 1 dhe 2 prill, por dha një tjetër çmim shitjeje nga ai që të paktën publikisht ka të afishuar në faqen zyrtare koorporata që ai drejton.
“Diku te 10 mijë e 50 mega, KESH në datat 1 dhe 2 është detyruar që t’i eksportojë me çmimet e tregut që rezultuan mesatarisht në 157.97 euro, ndërkohë që bursa e Hungarisë ishte 167.95 euro”, deklaroi kreu i KESh gjatë mbledhjes së Komitetit të Energjisë këtë të martë.
Por, shifra mesatare e shitjes e deklaruar nga Ergys Verdho nuk përputhet me çmimet në dokumentat zyrtare publike që KESh vetë ka publikuar në faqen zyrtare.
Siç raportoi më 1 prill, Voxnews.al, KESH ka shitur 10,230 megavat energji për datat 1 dhe 2 prill përmes tenderave të hapur në tre lote, që me çmim mesatar është rreth 130 euro megavati. Loti i parë është shitur me çmim 130 euro, në lotin e dytë çmimi i ponderuar ka qenë 157 euro dhe në lotin e tretë rreth çmimi i shitjes së një megavati ishte rreth 100 euro.
Çmimi me të cilat Shqipëria ka shitur energjinë në këtë dy data është 2.5 deri në 3 herë më i ulët se çmimi me të cilin ka blerë energji po për datën 2 prill përmes një tenderi të hapur në datën 28 mars.
Shqipëria është zyrtarisht në krizë energjitike, të shpallur që në tetor të vitit të kaluar. Shkak janë bërë, sipas arsyetimit zyrtar dhe deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, thatësira dhe prodhimi i pakët vendas nga hidrocentralet dhe rritja e çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, në mbledhjen e Komitetit të Energjisë u paraqit një situatë optimiste. Ministrja Balluku foli për dy anije amerikane që do të ankorohen në Triport të Vlorës, që do të prodhojnë energji dhe do të lidhen me rrjetin shpërndarës. Anijet, sipas saj, janë marrë me qira për dy vite dhe do të prodhojnë energji kur vendi të ketë nevojë.
Anijet do të sigurohen nga kompania që ka marrë përsipër shndërrimin e TEC-it të Vlorës në TEC të prodhimit të energjisë elektrike me gaz, por detaje mbi kostot e qiramarrjes nuk u dhanë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.