"Institucionet dhe politikanët t'i përgjigjen pakënaqësisë së qytetarëve" - BE dënon dhunën në protestat e Tiranës

30 October 2026, 15:46Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

"Institucionet dhe politikanët t'i përgjigjen

Dhuna e regjistruar gjatë protestave të fundit në Tiranë është e papranueshme dhe pakënaqësitë e qytetarëve duhet të marrin përgjigje përmes institucioneve demokratike.

Ky ishte mesazhi i ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila reagoi pas përshkallëzimit të protestave, duke theksuar se shkatërrimi i pronës publike dhe private nuk mund të jetë mënyrë për të shprehur pakënaqësitë.

Gjatë një deklarate për mediat në Elbasan, ambasadorja u shpreh se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe se institucionet duhet të jenë në gjendje t’u përgjigjen shqetësimeve të qytetarëve.

“Kjo nuk duhet të ndodhë në shtetet demokratike. Kjo nuk duhet të ndodhë në vende ku mbrojmë demokracinë tonë. Nuk duhet të ketë dhunë në rrugë.

Pakënaqësitë e qytetarëve duhet të trajtohen dhe është e domosdoshme të trajtohen brenda institucioneve demokratike, të cilat, nga ana e tyre, kanë detyrën, kapacitetin dhe duhet të dëshmojnë se janë në gjendje t’u përgjigjen këtyre pakënaqësive”, deklaroi De Sousa.

Ajo theksoi se për këtë qëllim nevojitet forcimi i kapaciteteve të institucioneve dhe angazhimi i të gjithë aktorëve shoqërorë, për të parandaluar përshkallëzimin e situatave në dhunë.

“Kemi mjaft punë për të bërë të gjithë: politikanët, nëpunësit civilë dhe qytetarët në përgjithësi, për të forcuar kapacitetin e institucioneve demokratike që t’u përgjigjen këtyre pakënaqësive, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet në dhunë në rrugë”, u shpreh ambasadorja.

Një vëmendje të veçantë De Sousa i kushtoi edhe përfshirjes së të rinjve dhe shoqërisë civile në jetën demokratike. Sipas saj, është e rëndësishme që të rinjve t’u shpjegohen rregullat e funksionimit të demokracisë dhe mënyrat institucionale për të kërkuar zgjidhje.

“Duhet të angazhohemi me të rinjtë, me shoqërinë civile, me të gjithë, për t’i përfshirë dhe për t’u shpjeguar rregullat e lojës së demokracisë. Nuk mund t’i trajtojmë këto pakënaqësi duke shkatërruar pronën publike dhe private dhe duke cenuar rendin dhe qetësinë publike”, deklaroi ajo.

Ambasadorja shtoi se qytetarët duhet të kenë mundësi të shprehin bindjet dhe shqetësimet e tyre përmes mekanizmave demokratikë, ku një rol të rëndësishëm kanë edhe bashkitë dhe autoritetet vendore.

Deklaratat u bënë pas takimit të katërt të Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, i cili u përqendrua te roli i pushtetit vendor në procesin e integrimit evropian.

Edhe bashkëkryetari i këtij komiteti, Antonio Mazzeo, u shpreh se dhuna nuk mund të jetë një mjet i pranueshëm i shprehjes politike në një shoqëri demokratike, ndërsa theksoi rëndësinë e protestave paqësore.

“Protesta paqësore është një mjet plotësisht legjitim dhe demokratik përmes të cilit qytetarët duhet të kërkojnë të dëgjohet zëri i tyre”, tha Mazzeo.

Ai u bëri thirrje institucioneve dhe protestuesve që të veprojnë me përgjegjshmëri dhe të shmangin çdo përshkallëzim të situatës.

“Qëndrueshmëria e një demokracie nuk matet vetëm me aftësinë për të garantuar rendin publik, por edhe me aftësinë e institucioneve për të ruajtur pluralizmin politik, përfaqësimin demokratik dhe besimin e qytetarëve”, përfundoi ai.


Video