Papa Leoni XIV ka hedhur votën e tij për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, që do të mbahen javën e ardhshme, duke u bërë kështu sipas raportimeve, papa i parë në detyrë që voton në një proces zgjedhor laik dhe demokratik, njoftoi sot Vatikani.
Papa i parë amerikan “e ka dorëzuar votën e tij me postë në Chicago”, thuhet në një deklaratë të Vatikanit.
“Ati i Shenjtë shpreh bindjen e tij se qytetarët kanë të drejtën dhe detyrën të marrin pjesë në proceset demokratike“, shtohet më tej.
Michael Walsh, një historian britanik dhe ekspert për çështjet papnore, u shpreh se pjesëmarrja mund të jetë një rast i paprecedentë.
“Nuk besoj se papët kanë votuar ndonjëherë më parë në një proces zgjedhor demokratik“, tha ai për CNN.
Si shtetas amerikan, Papa Leoni është i regjistruar për të votuar në New Lenox, një periferi e Chicago-s ku jeton vëllai i tij, John, sipas regjistrave zgjedhorë.
Votimi i hershëm dhe ai me postë janë praktikë e zakonshme në zgjedhjet në SHBA, në varësi të ligjeve vendore, pasi zgjedhjet amerikane administrohen nga shtetet individuale dhe jo nga qeveria federale në Washington.
Para se të bëhej Papa Leoni në maj të vitit 2025, personi i lindur me emrin Robert Francis Prevost ka marrë pjesë në zgjedhjet paraprake si të Partisë Republikane, ashtu edhe të asaj Demokratike si dhe ka votuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare.
Që kur mori detyrën si Papë, Leo ka inkurajuar vazhdimisht angazhimin qytetar, duke përfshirë thirrjet drejtuar njerëzve që të shprehin mendimin e tyre lidhur me luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Ai është përplasur publikisht me administratën e Trumpit për mënyrën se si ajo e ka trajtuar konfliktin, si dhe për politikat e saj kufizuese në fushën e imigracionit.