
Christa Pike ka bërë deklaratën e saj të parë publike një muaj pas ekzekutimit të dështuar në shtetin amerikan të Tenesit, duke treguar për dhimbjet e vazhdueshme fizike dhe vuajtjet psikologjike që po përjeton.
Në një mesazh të publikuar të premten nga ekipi i saj ligjor, ajo tha se nuk ka pasur asnjë moment pa dhimbje që prej injektimit të një doze të madhe të qetësuesit pentobarbital, gjatë përpjekjes për t’i marrë jetën më 30 shtator.
“Më dhemb trupi, krahët, duart dhe fyti. Ende e kam të vështirë të flas. Por dhimbja nuk është vetëm fizike. Ka dhimbje në mendjen dhe shpirtin tim”, u shpreh Pike, duke kritikuar gjithashtu paaftësinë që, sipas saj, i ka vendosur të gjithë në këtë situatë të rëndë.
Pike ishte lidhur në barelën e dhomës së ekzekutimit në Tenesi, ku do të ekzekutohej për vrasjen e një shoqeje të klasës, Colleen Slemmer, në vitin 1995, kur ishte 18 vjeçe. Ekipit të ekzekutimit iu deshën afro 60 minuta për të siguruar një linjë intravenoze për injektimin e substancës vdekjeprurëse, por procedura dështoi dhe 50-vjeçarja mbijetoi.
Pas ngjarjes, ajo kaloi 10 ditë në trajtim intensiv në spital dhe më pas u rikthye në qendrën e rehabilitimit Debra Johnson në Nashville, ku aktualisht mbahet kryesisht në izolim. Pike tha se qëndrimi larg njerëzve dhe lidhjeve njerëzore përbën një tjetër formë vuajtjeje për të, pasi kishte kaluar edhe 28 vitet e para në burgun e të dënuarve me vdekje në kushte izolimi.
Ngjarja shkaktoi reagime të forta në Tenesi dhe në të gjithë Shtetet e Bashkuara, ndërsa guvernatori republikan Bill Lee urdhëroi pezullimin e ekzekutimeve të tjera deri në përfundimin e një hetimi të pavarur mbi atë që ndodhi. Ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me dënimin e Pike, ndërsa guvernatori ka deklaruar se pret që ai të mbetet në fuqi, përveç rastit kur gjykatat vendosin ndryshe.
Në deklaratën e saj, Pike tha se ishte përgatitur të vdiste atë natë dhe se e kishte pranuar fatin e saj, por pas zgjimit në spital, e vetme, e hutuar dhe në dhimbje, po përpiqet të kuptojë arsyen pse mbijetoi. Ajo falënderoi mjekët, infermierët, avokatët dhe të gjithë ata që e mbështetën, duke shtuar se po përpiqet të rikuperohet dita-ditës dhe të gjejë forcë te dashamirësia e njerëzve që i kanë kujtuar se nuk është vetëm.