Protestat e dhunshme, Rama: Pjesëmarrja e fëmijëve, shqetësuese. Konsultim për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit 

30 October 2026, 18:32Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Protestat e dhunshme, Rama: Pjesëmarrja e fëmijëve,
Edi Rama

Një ditë para protestës së radhës në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka mbledhur tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve. Në fjalën e tij kreu i qeverisë theksoi nevojën për një plan të përbashkët dhe tha se dhuna është relativizuar dhe himnizuar, si edhe sipas tij ka marrë një drejtim tërësisht keqinformues dhe keqedukues.

“Ky këshill merr rëndësi të veçantë si një tryezë ku vështrimet e ndryshme na ndihmojnë të gjithëve të ndërtojmë një qasje që duhet t’i përshtatet mësimeve të këtij momenti. Unë besoj dhe ndajmë opinionin që jemi bërë dëshmitarë të një panorame shqetësuese të qasjes së një pjese të shoqërisë ndaj një tabuje për të gjitha demokracitë, për të gjitha rrugët e bashkëjetesës në demokraci që është dhuna. Kemi parë sesi dhuna është relativizuar, justifikuar dhe himnizuar. Jo vetëm kaq, por kemi parë sesi dhuna ka marrë një drejtim tërësisht keqinformues dhe keqedukues duke u kthyer në një stigmë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që gjithë dhunuesit e institucioneve, shkollave, lirisë dhe së drejtës së gjithkujt për të bërë mësim, pronës publike e private, kanë marrë një status qytetarie dhe imunitet mediatik si përçues të një përpjekjeje të admirueshme për të përmbysur një sistem”, tha Rama.

Rama paralajmëroi konsultim me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve sociale. Në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, kreu i qeverisë i konsideroi rrjetet sociale të rrezikshme, të cilat sipas tij kanë ndikuar në vetminë e të rinjve dhe kapërcimin mes kufijve të realitetit e virtualitetit.

“Ajo që ka qenë një tjetër befasi shqetësuese ka qenë pjesëmarrja domethënëse në numër e shumë të miturve. Të mitur të cilët përpara se sa t'i konsiderojmë fajtorë duhet t'i konsiderojmë fëmijë që kanë nevojë për ndihmë. Përpara se të mendojmë se si duhen dënuar duhet të mendojmë se si duhen neutralizuar burimet prej ku ata ushqehen me frymën dhe me joshjen e dhunës.

Ne kemi ndjekur me vëmendje se çfarë ka bërë bota demokratike në raport me këtë fenomen dhe çfarë ka bërë së fundi Franca apo Italia ku dhuna e të miturve ka qenë jashtëzakonisht prezente dhe patjetër që edhe ne nuk mund të mos adoptonim në qasjen tonë një penalizim të familjeve në aspektin administrativ dhe financiar për dëmet që shkaktojnë fëmijët e tyre.

Kjo situatë e re e gatuar me vite në Europë e Shqipëri si rezultat i arsyeve të ngjashme e të ndryshme, kërkon një qasje të re ndaj gjithçkaje që ndihmon socializimin fizik të njerëzve. Rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike dhe një kapërcim të kufijve mes reales dhe virtuales në pikën që kanë nxjerrë psikologët në konkluzionin që shumë nga këta të mitur e konsiderojnë një mundësi të tillë për të hyrë fizikisht në një playstation dhe duhet hapur debati deri kur mund të kufizojmë aksesin në rrjete sociale të të miturve, 16 apo 18 vjeç. Do të fillojmë një konsultim siç bëmë kur na u desh të kufizojmë TikTok-un, do të fillojmë konsultimin në shkolla dhe me prindërit”, tha Rama.


Video