Zbulohet mozaiku i madh dhe i paprekur në Durrës, i rrallë në Ballkan

13 Tetor 2023, 15:39Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mozaiku i zbuluar në Durrës

Monitorimi arkeologjik, gjatë punimeve për ndërtimin e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës, nxori në dritë gjurmët e një mozaiku.

Zbulimi është ndër gjetjet më të rëndësishme të viteve të fundit në këtë qytet. Mozaiku përmban figura gjeometrike dhe floreale, të realizuara me cilësi tepër të lartë. Kompozimi dhe cilësia e punimit, e rendit atë ndër mozaikët më të rrallë të gjendur deri më tani në rajonin e Ballkanit.

Nisur nga gjendja aktuale në të cilën është konstatuar, mendohet se sipërfaqja e mozaikut të jetë rreth 30 metra katrorë. Së bashku me mozaikun, janë zbuluar edhe struktura muresh të ndërtuara me tulla të lidhura me llac gëlqere, elemente dekorative, si fragmente kolonash, pikturë murale, qeramikë e përdorimit të përditshëm etj., të cilat tregojnë që kemi të bëjmë me një vilë të periudhës romake.

Paraprakisht, mendohet se këto gjetje arkeologjike së bashku me mozaikun e zbuluar e përkasin periudhës mes shek. I – II pas Krishtit.Vazhdimi i gërmimeve pritet të japë një panoramë të qartë të sitit arkeologjik, informacion më të plotë mbi periudhën e ndërtimit si dhe shtrirjen e tij. I gjithë procesi do të jetë nën koordinim të plotë të Ministrisë së Kulturës, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, UNDP dhe specialistëve arkeologë.

Video