Si sigurohej udhëheqja e Partisë së Punës kur udhëtonte jashtë shtetit?

23 Tetor 2022, 20:06Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Enver Hoxha duke folur në një miting në Berat, 1961

Shpesh qëllonte që drejtues të lartë të Partisë dhe shtetit komunist të udhëtonin jashtë, si në Perëndim ashtu edhe në Lindje. Zakonisht këto udhëtime ishin për qëllime vizitash zyrtare në bazë delegacionesh ose individualisht, për t’u kuruar në spitale më të specializuara.

Enver Hoxha, vetë, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik në vitin 1960 nuk ndërmori më asnjë udhëtim jashtë shtetit, me frikën se mos ndaj tij ushtrohej ndonjë atentat. Ndërkohë, drejtues të tjerë të lartë të shtetit si Hysni Kapo, Mehmet Shehu etj., vazhdonin që për arsye të caktuara të udhëtonin jashtë shtetit, sidomos në drejtim të Kinës, bashkëpunimi me të cilin vazhdoi deri në vitin 1978.

Përgjegjës për sigurimin e udhëtimit të tyre ishte Drejtoria e Dytë e Sigurimit të Shtetit. Më poshtë po japim disa pjesë nga rregullorja përkatëse e kësaj drejtorie, mbi bazën e të cilës bëhej ruajtja e udhëheqësit në udhëtim jashtë shtetit.

***

Me marrjen e njoftimit për udhëtimin e udhëheqësve jashtë shtetit Drejtorisë II-të i dalin një sërë detyrash të rëndësishme; për këtë mblidhet shtabi i Drejtorisë për të kryer këto detyra:

1.      Cakton grupin e oficerëve shoqërues dhe përgjegjësin e grupit për t’ia paraqitur udhëheqjes së Ministrisë për aprovim. Për këtë qëllim zgjidhen oficerët më të shkathët, që dinë të manovrojnë dhe që kanë pak a shumë një farë eksperience dhe që njihen me nevojat që ka udhëheqësi. Sipas rastit caktohet dhe mjeku shoqërues.

2.      Cakton forcat dhe përgjegjësin për sigurimin e aeroportit dhe t’avionit me oficerë. Në qoftë se është avioni qeveritar interesohet që të bëhet obeloti i avionit (prova e fluturimit), merr masa për analizën e karburantit në laborator dhe mbasi merr të dhënat e analizës vendos një oficer për sigurimin e karburantit. Kur avioni është i huaj, merren masa për sigurimin e avionit.

Përgjegjësi informon udhëheqësit për kohën e nisjes së avionit dhe pasi janë futur pasagjerët e tjerë në avion, jep sinjalin se kur duhet të dalë udhëheqja, me qëllim që të mos ketë njerëz të tjerë nëpër këmbë.

Përgjegjësi i forcave siguron të dhënat meteorologjike në stacionin meteorologjik si edhe ndërlidhjen midis avionit dhe Tiranës (kur është avioni qeveritar) dhe informohet vazhdimisht për udhëtimin e avionit deri në kohën që mbërrin në destinacion, me qëllim që Drejtoria e II-të të jetë në gjendje të informojë udhëheqjen e Ministrisë mbi udhëtimin e udhëheqësit.

3.      Cakton forcat dhe përgjegjësin për sigurimin e rrugës nga vendbanimi i udhëheqësve deri në aeroport. Përgjegjësi bën planin e dislokimit të forcave dhe njofton Drejtorinë e Tiranës për rregullimin e trafikut rrugor për bashkëveprim gjatë rrugës.

4.      Cakton personin që do të bëjë instruktazhet e grupit të shoqëruesve. Ky duhet t’ia bëjë të qarta detyrat që ka grupi i shoqëruesve gjatë gjithë udhëtimit të udhëheqësve deri në kthimin e tyre në atdhe.

5.      Cakton personelin i cili në bashkëpunim me klinikën speciale organizon ndihmën e shpejtë në aeroport. Për këtë duhet patur parasysh se për të përcjellë udhëheqësit që udhëtojnë jashtë shtetit, dalin edhe udhëheqës të tjerë në aeroport. (...)

Si sigurohej udhëheqja e Partisë së Punës kur udhëtonte

Detyrat e oficerëve shoqërues para nisjes së udhëheqësit:

Sipas rastit, për shoqërimin e udhëheqësit caktohej grup shoqërimi ose edhe një oficer shoqërues. Detyrat e grupit të shoqërimit ishin:

1.      Interesohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të marrë pasaportën e udhëheqësit, të personave që e shoqërojnë dhe të grupit të sigurimit. Siguron fotografitë që duhen për pasaportat, mbushjen e formularëve dhe më në fund pasi merren vizat përkatëse, pasaporta e udhëheqësit mbahet nga përgjegjësi i grupit të sigurimit. Në qoftë se personat që shoqërojnë udhëheqësin janë shumë atëherë caktohet një shok nga këta, i cili grumbullon pasaportat dhe i mban në një çantë të veçantë të veçantë për ti paraqitur sa herë të jetë e nevojshme.

2.      Interesohet për biletat e avionit për ti siguruar ato për gjithë udhëtimin. Zakonisht biletat e udhëtimit merren në Albtransport por sigurohet me telegram ose nëpërmjet ambasadës tonë koha e fluturimit dhe avioni.

3.      Bagazhi i personave që shoqërojnë udhëheqësin grumbullohet një natë më parë në drejtori, me përjashtim të bagazhit të udhëheqësit. Bagazhi kontrollohet dhe të nesërmen, me automjet të veçantë, së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit të sigurimit, niset tri orë përpara në aeroport. Personi që mban biletat e udhëtimit mban edhe etiketat e bagazhit dhe njeh mirë numrin e valixheve. Për siguri ai i ve shenjë të veçantë valixheve. Me përjashtim të valixhes së udhëheqësit, që vihet në vendin ku rrinë pasagjerët, të gjitha valixhet e tjera vihen në vendin e bagazhit të avionit.

4.      Grupi i sigurimit që shoqëron udhëheqësin gjatë udhëtimit përgatit gjithashtu një çantë me gjëra që i nevojiten udhëheqësit si ujë për të pirë, kafe me termus, gruta etj. Me gjithë se të tilla ka në avion, por varet nga udhëheqësi, p. sh. nëse ai e do kafe të vendit apo ekspres etj. Gjithashtu sipas rastit, në qoftë se nuk ka mjek, grupi i sigurimit përgatit në klinikën speciale çantën e ndihmës së shpejtë me barnat e nevojshme.

5.      Grupi i sigurimit kontrollon armatimin që merr me vete. Për këtë organizohet qitje e veçantë, mbas së cilës bëhet pastrimi i armatimit.

Është e domosdoshme që grupi i shoqërimit të pajiset me dozimetër për matjen e rrezeve radioaktive.

Udhëtimi i udhëheqësit jashtë shtetit mund të bëhet me aeroplan, me tren ose me veturë ose gjatë një udhëtimi mund të përdoren të tri mënyrat. Në këto raste kihet parasysh:

a.       Gjatë udhëtimit me avion:

1.      Gjatë udhëtimit me avion përgjegjësi i grupit të shoqërimit ose shoqëruesi personal ze vend mbas udhëheqësit dhe me anë të dozimetrit kontrollon se mos vendi ku qëndron udhëheqësi është infektuar me rreze radioaktive. Kontrollon gjithashtu me sy pasagjerët e tjerë që janë në avion dhe çdo lëvizje të dyshimtë që bëhet nga ata.

2.      Interesohet për shtypin dhe revistat e ndryshme që ka në avion për t’ia dhënë udhëheqësit.

3.      Interesohet për të zbatuar çdo porosi të udhëheqësit te  ekuipazhi i avionit.

4.      Pyet për emrat e qyteteve mbi të cilët fluturon avioni dhe sipas situatës kërkon dhe hartën e itinerarit që ndjek avioni.

5.      Duke marrë parasysh se aksidentet më të shpeshta ndodhin në ulje dhe në ngritje të avionit, përgjegjësi i grupit të shoqërimit organizon sigurimin e avionit gjatë kohës që qëndron në vendet tranzit. Nga ana tjetër ai siguron udhëheqësin në sallën tranzit, interesohet për plotësimin e nevojave të udhëheqësit.

Në vendet e tjera ku kemi përfaqësi diplomatike, rezidentura e jonë atje përgjigjet për sigurimin e udhëheqësit njësoj si edhe grupi i shoqërimit.

Kur udhëheqësi udhëton me avion special, duhet patur shumë kujdes në ndërrimin e avionit. Ndërrimi i avionit bëhet kur udhëtohet në republikën Popullore të Kinës. Në këtë rast është mirë që për transportin e bagazheve të përdoret avion i veçantë. Transporti i bagazheve nga një avion në tjetrin bëhet nën kujdesin e veçantë të grupit të shoqërimit dhe brenda mundësive të mos përdoren hamej, por t’i mbajnë vetë personat që shoqërojnë udhëheqësin.

b) Gjatë udhëtimit me tren:

Udhëtimi me tren është më i sigurt se ai me avion apo me veturë. Zakonisht në të tilla raste merret vagon Lit (vagon shtrat). Kur udhëton Sekretari I-rë i Komitetit Qendror të R. P. Shqipërisë ose Kryetari i Këshillit të Ministrave, merret një vagon i tërë, me qëllim që të mos futen njerëz të huaj në vagon. Për shokët e tjerë të udhëheqjes merren kabina sipas nevojës. Përgjegjësi i grupit të shoqërimit organizon rojën në vagon, përpara kabinës së udhëheqësit dhe interesohet që çdo gjë të shkojë në rregull. Ai përgjigjet në doganën për bagazhet, mbush fletën e doganës edhe për udhëheqësin dhe mban pasaportën e udhëheqësit.

Përgjegjësi i grupit të shoqërimit interesohet për të plotësuar të gjitha kërkesat e udhëheqësit (ujë, kafe, fruta etj.). Siguron vendin në vagon restorant dhe shkon së bashku me udhëheqësin, ose e porosit drekën në kabinë, në qoftë se është vagon Lit; këtë e vendos udhëheqësi.

Në qoftë se udhëtimi me tren bëhet në vagon të përbashkët me njerëz të huaj, atëherë përgjegjësi i grupit të shoqërimit duhet të ketë parasysh që të vendoset në mënyrë të atillë që të kontrollojë të dyja hyrjet e vagonit. Të kontrollojë lëvizjet e çdo njeriu në vagon për të qenë i gatshëm të ndërhyjë në raste rreziku. Veçanërisht duhet patur kujdes kur qëndron treni nëpër stacione të ndryshme. Në këto raste përgjegjësi i grupit të shoqërimit kontrollon platformën dhe sidomos vëzhgon çdo njeri që vjen i ri në vagon. Ka mundësi që elementë të arratisur të tentojnë në drejtim të udhëheqësit, prandaj duhet forcuar vigjilenca tek çdo njeri që futet i ri në vagon.

Përgjegjësi i grupit të shoqërimit ka caktuar që më parë një shok që të interesohet për bagazhet dhe në mënyrë të veçantë për bagazhet e udhëheqësit.

Përgjegjësi i grupit të shoqërimit interesohet për të marrë gazeta e revista për udhëheqësin.

Ndërsa në avion nuk shkon bakshishi në tren është i domosdoshëm.

c) Gjatë udhëtimit me veturë:

Gjatë udhëtimit jashtë shtetit ka mundësi që udhëheqësi të udhëtojë me veturë. Në këtë rast përdoren veturat e ambasadës, së bashku me shokët e rezidenturës, përgjegjësi i grupit të shoqërimit organizon që udhëtimi të bëhet sa më i këndshëm dhe i sigurt. Për këtë përdoren jo më pak se dy makina. Vetura e udhëheqësit në këtë rast qëndron në mes kur janë tri vetura pse qëndron mbrapa kur janë dy vetura. Kjo bëhet me qëllim për të evituar aksidentet e provokuara me dashje ose pa dashje. Në autostradë, makina e udhëheqësit qëndron përpara ndërsa ajo e shoqërimit mbrapa (kur janë dy makina).

Bashkë me shokët e ambasadës përgjegjësi i grupit të shoqërimit merr masa për ushqimin e udhëheqësit. Interesohet për automjetet nëse janë në gjendje të mirë teknike. (...)

Si sigurohej udhëheqja e Partisë së Punës kur udhëtonte

 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video