Një letër e panjohur e Fiqret Shehut...

21 Tetor 2022, 17:27Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
NEXHMIE HOXHA DHE FIQIRET SHEHU

Tashmë janë të njohura favoret që kishin pasardhësit e ish-Byrosë Politike. Në një kohë kur qytetarët shqiptarë duhej të merrnin lejë për të vizituar të afërmit e tyre, e sidomos në qytetet e zonat kufitare, pinjollët e anëtarëve të Byrosë Politike lëviznin lirshëm në Perëndim, e madje shkonin edhe për t’u arsimuar. I tillë është rasti i djalit të dytë të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, Skënderi, i cili u dërgua në vitin 1979 të zhvillonte studime pasuniversitare, për një periudhë katër vjeçare në Stokholm, Suedi. Gjithsesi, në fund të vitit 1981, atij ju desh të ndërpriste studimet dhe të kthehej para kohe në Shqipëri, pak ditë para se Mehmet Shehu të vriste veten më 18 dhjetor 1981.

Më poshtë, nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme po sjellim një letër që gruaja e kryeministrit, Fiqret Shehu, më 18 shtator 1979 ja dërgonte ambasadorit shqiptar në Stockholm, ku i kërkonte që ai të kujdesej për rregullimin sa më të mirë të djalit si edhe të shoqëruesit dhe shoferit të tij. Çka bie në sy është stili që është shkruar letra, e cila është sa miqësore, e butë dhe shoqërore, aq edhe kërcënuese, kërkuese e urdhëruese “sepse edhe ai shoku është në merak dhe i shqetësuar shumë për këtë gjë”, shkruan Fiqreti, duke ju referuar të shoqit, Mehmetit.

Sikurse lexohet ambasada duhej të gjente një banesë sa më të përshtatshme e të kujdesej për mobilimin e saj. Nga letra kuptohet se edhe shpenzimet për këtë gjë duhej të mbuloheshin nga ambasada. Më tej, ambasadori shqiptar duhej të kujdesej edhe për të shëtitur djalin e kryeministrit në Suedi e jashtë saj. “Kur shkoni vetë në ndonjë vend jashtë Suedisë, si tani që qetë në Norvegji, kur e gjen të mundshme Neli, kur është jo shumë i zënë etj., mund edhe ta marrësh me vete, sepse zakonisht disa ditë qëndroni në vendet ku jeni akredituar si në Finlandë, Norvegji etj. Çështja është që edhe të shohë e të përfitojë nga njohja e vendeve edhe të mos mërzitet shumë, sidomos kohët e para”, porosiste Fiqret Shehu ambasadorin shqiptar në Stokholm.

Më poshtë po japim letrën e plotë:

I dashur shoku Taqi,

Dëshirojmë të jeni mirë me shëndet e me punë. Nga Neli kemi marrë vesh që mirë jeni e shkoni. Edhe studentët pasuniversitar janë rregulluar (ata tre që janë sistemuar me punë) si jo më mirë: kanë për udhëheqës shkencorë “somitete» shkencore. Besojmë se do të bëni çmos që një “somitet” shkencor (një kokë të madhe shkencore, siç shprehej Ganiu në një letër që më shkruante) të siguroni si udhëheqës shkencor edhe për Nelin. Dhe presim që këtë çështje ta zgjidhni sa më mirë e më shpejt, sepse edhe ai shoku është në merak dhe i shqetësuar shumë për këtë gjë. Ju e kuptoni.

Përsa i përket rregullimit me shtëpi, fjetje e ndënjtje, ushqim etj., ne s’dimë asgjë se si është. Dimë vetëm që të tre Neli e Ganiu me Thanasin, tani për tani janë në Ambasadë. Kjo besoj se s’i jep shumë mundësi për studim. Por kemi bindjen, si unë ashtu edhe ai shoku, që ju do të interesoheni për të gjetur një shtëpi, apartament a ku e di unë, sa më shpejt e sa më të përshtatshme. Sa të sistemohet edhe nga kjo anë përfundimisht, ne s’do jemi të qetë. Lidhur me mobilimin e shtëpisë, besoj se e keni vetë merak e kujdes. Por, ndoshta, do të mund të orientoheshin nga ndonjë nga shokët e Ambasadës (meqë edhe Ganiu është për herë të parë aty) për t’u njohur me jetën e kuriozitetet e Stokholmit e të Suedisë dhe kur shkoni vetë në ndonjë vend jashtë Suedisë, si tani që qetë në Norvegji, kur e gjen të mundshme Neli, kur është jo shumë i zënë etj., mund edhe ta marrësh me vete, sepse zakonisht disa ditë qëndroni në vendet ku jeni akredituar si në Finlandë, Norvegji etj. Çështja është që edhe të shohë e të përfitojë nga njohja e vendeve edhe të mos mërzitet shumë, sidomos kohët e para.

Më duket se u zgjata, por ju jeni prind vetë dhe e dini çdo me thënë e sa rëndë është të kesh fëmijën larg për një kohë të gjatë!

Po përfundoj, duke ju lutur që shoqes tuaj, Donikës, Maksit e gjithë shokëve e shoqeve të Ambasadës, të cilët si njoh, t’u bëni shumë të fala nga ana ime. Kurse ju keni shumë të fala nga ai shoku, si edhe nga gjithë fëmijët tanë.

Përshëndetje e shumë të fala

Fiqret Shehu

Tiranë, më 18 shtator 1979.   

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video