Ibrahim Rugova në shënimet operative të Sigurimit të Shtetit

9 Tetor 2022, 20:16Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ibrahim Rugova

Bazuar në praktikat e njohura në gjithë vendet komuniste, Sigurimi i Shtetit survejonte dhe mblidhte informacion për gjithë te huajt që vinin në Shqipëri, qofshin këta edhe kosovarë. Kësaj praktike nuk i ka shpëtuar as Ibrahim Rugova, i cili e ka vizituar Shqipërinë qysh në fillimvitet 1970, kur ishte ende student.

Qëllimet e vizitave të tij në Shqipëri ndër vite ishin kryesisht profesionale, për studime e aktivitete shkencore që organizoheshin nga institucionet e Tiranës.

Sikurse thamë më sipër, Sigurimi i ndiqte të gjithë të huajt dhe krijonte dokumentacion për ta me qëllim marrjen e masave në rastet se konstatohej se zhvillohej aktivitet spiunazhi, ndonjë i huaj fliste kundër apo ndikonte negativisht në mjedisin rreth tij ose thjesht për të ditur qëndrimin e vizitorit ndaj politikës së Tiranës. Nuk janë të pakta rastet që të huaj që vizitonin Shqipërinë në këto vite tërhiqeshin ne bashkëpunim nga Sigurimi i Shtetit. Dhe sidomos nga shqiptaret e Kosovës, të cilët shikonin te Shqipëria formën më të përkryer të ushtrimit të pavarësisë kombëtare.   

Sa më sipër, Rugova nuk përbën ndonjë rast special të survejimit nga Sigurimi apo të jetë përndjekur e keqtrajtuar nga shteti shqiptar i asaj kohe. Përkundrazi. Madje, edhe vetë Rugova e vlerëson politikën e shtetit shqiptar të asaj kohe, arritjet e Shqipërisë, sikurse edhe kritikon ndonjë fenomen, i cili atij nuk i pëlqen.

Le të shohim më poshtë një shënim operativ të Sigurimit, ku raportohet për një bisedë të Ibrahim Rugovës dhe Rexhep Munishit me një profesor të gjuhës shqipe në Sorbone, i cili raportonte te Sigurimi. Në raport përdoren pseudonime edhe për vendet, kështu “Shqiponja” dhe “krahina” quhet Kosova dhe “Ferra” quhej ish-Jugosllavia. Informacioni është i rëndësishëm sepse përveçse tregon gjendjen në Kosovën e atyre viteve, po ashtu tregon këndvështrimin e Rugovës dhe Munishit ndaj këtyre ngjarjeve.

Raporti gjendet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

***

Letër operative nr. 407/3                       “SEKRET”

                                           Ekzemplar i vetëm

                                           Pozitë, me 4/9/1985

SHENIM OPERATIV

“GRANITIT”

POZITE:

Ne bisedat e bera nga profesori yne i gjuhes shqipe ne Sorbone, me Rexhep Munishin dhe Ibrahim Rugoven kane dale keto gjera:

Sipas tyre “gjendja ne Shqiponje” po stabilizohet. Nuk eshte ashtu siç e paraqet shtypi “ferras” dhe ai i krahines. Behet me shume zhurme me ane te shtypit, po ne ralitet nuk zbatohen ato qe thuhen ne drejtim te popullsise shqitare te krahines. Shpesh ngrene problem te nacionalizmit shqiptar gazeta ted ores se dyte e persona te kesaj kategorie, kryesisht serbe, por qeveria qendrore mban qendrim te mire dhe nuk flet kunder shqiptareve te “Ferres”. Milka Planinci s’ka folur asnjehere kunder “Shqiponjes” e “shqiponjasve”, perkundrazi eshte shprehur mire e ka premtuar te ndihmoje ne zhvillimin e saj. Ajo eshte shume e zonja dhe ka bere shume per te nxjerre “Ferren” nga kriza ekonomike. Denimet jane pakesuar dhe tani nuk ka denime per fjale e mendime te shprehura si me pare. Gjendja ekonomike e “Shqiponjes” nuk eshte me e keqe se e republikave te tjera. Gjate viteve te fundit ka pasur disa zhvillime te ekonomise. Tre objektivat kryesore ne kete fushe jane realizuar kombinati metalurgjik i ferro kromit (shume modern dhe rentabel) teci Kosova Nr 3, dhe sistemi vadites Iber-Lepenc i cili eshte ne fazen perfundimtare (ka mbetur shtrirja e kanalizimeve te dyta e te treta). Shume zhurme behet edhe ne drejtim te kulturës e arsimit, por ne fakt asgjë s’kemi lene te preket. Historia dhe traditat janë ruajtur. Te gjitha botimet per gjuhen shqipe (te vjetrën dhe te rene) shiten dhe botohen, gjithashtu autoret e rilindjes dhe te se kaluarës. Se shpejti del Barleti ne qarkullim. Vazhdon seria e autoreve shqiptar. Ne shkolle behet historia e Shqiperise edhe para 1913. Programi i letërsisë i përpunuar (qe u botua edhe ne Zerin e Popullit) nuk ka gjetur jehone te gjere dhe me sa duket do te zbatohet ne serbe. Studimet ne fushën e historisë dhe te gjuhës shqipe vazhdojnë si me pare. Ne institutin albanologjik janë duke përfunduar rreth 10 monografi e se shpejti do botohen. Vazhdon puna per mbledhjen e materialeve per atllasin sipas marrëveshjes qe eshte bere para 1981-it. Ne shkollat e larta perdoren te gjitha tekstet e gjuhës dhe te historisë te botuara ne Shqiperi. Vazhdon te botohet letërsi nga Shqiperia, përveç asaj qe ka karakter politik. Shpresojmë, se pavarësisht nga zhurma qe behet ne shtyp, marrëdhëniet do te përmirësohen e do te kemi mundësi te vazhdojmë kontaktet si ne te kaluarën (nuk kane folur me gjate per kete problem se ku e bazojnë kete gje) por ne kete moment Rexhep Munishi ka pyetur se cili eshte qëndrimi i udhëheqësit te PPSH anktualisht ndaj “Shqiponjes”. Problemi i serbeve ne “Shqiponje” nuk eshte ashtu siç deklarohet ne shtypin e tyre. Presione nga shqiptaret nuk ka. Ata largohen vete se jetojnë me mire, nuk kthehen, ose kthehen përkohësisht per pak kohe dhe largohen. Detyrime per vendosje sllavesh ne “Shqiponje” nuk kemi. Sipas tyre edhe provokime nga sllavet nuk paska. Per gjendjen e shqiptareve ne Maqedoni thonë nuk dimë gje, por ata qenkan ekonomikisht me mire se sa maqedonet (sidomos ne fshat) dhe kjo u jep dore te mbrohen. Ndërsa per artikullin se “shqiptaret” e Maqedonise janë “sllave te shqiptarizuar” thane se e ka shkruar nje tradhetar qe edhe mbiemrin e ka ndryshuar, por qe nuk i beson askush, bile edhe vete maqedonasit. Aktualisht sipas tyre eshte krijuar nje inteligjence dhe nje kuadër qe ka marre ne dore punët e “Shqiponjes” e qe punojnë per mbrojtjen e saj. Ne mburrje kane thene se kombinati i ferrokromit perbehet nga kuadër shqiptar dhe punët po shkojnë mire. Menjëhere inteligjenca reagon jo vetëm ne menyre te heshtur, por edhe te hapur ne mbledhje e konferenca brenda kuadrit qe lejon kushtetuta. Para se te flasim – thonë – se konsultohemi e studiojmë mire kushtetutën.

Shënim: Bisedat i bënin te cekta, nuk dëshironin te zgjeroheshin, tepër te frikshëm sidomos nga njeri tjetri, e sidomos nga nje person tjetër qe banonte aty (kombësi tjetër), nuk kane shprehur asnjë deshire per vazhdim kontaktesh. Nuk kane bere asnje pyetje apo reaguar per vdekjen e udhëheqësit tone. Perfundimisht janë larguar per ne vendlindje.

Kufitari                                   Dritani

 

Ibrahim Rugova në shënimet operative të Sigurimit të Shtetit

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video