Kur Hitleri i dhuroi Mbretit Zog një Mercedes për martesë...

6 Nëntor 2022, 20:07Histori SHKRUAR NGA MARENGLEN KASMI
Kur Hitler-i i dhuroi Mbretit Zog një Mercedes për martesë...

Martesa e mbretit Zog me Geraldine-n në prill të vitit 1938 ishte një nga ngjarjet më të bujshme në prag të pushtimit italian të Shqipërisë. Dasma nisi më 29 prill, me një pritje që Mbreti Zog dhe bashkëshortja e tij dhanë për trupin diplomatik, të ftuarit dhe gazetarët e huaj që kishin mbërritur në Tiranë. Hotelet e paktë të Tiranës mezin arritën të strehonin të ftuarit e shumtë, të cilët vinin nga gjitha bota. Ngjarja u pasqyrua gjerë e gjatë në shtypin e huaj falë 79 fotografëve e gazetarëve të huaj që kishin ardhur në Tiranë. Vëmendjen kryesore e morën dhuratat që ju bënë çiftit mbretëror të sapo martuar. Hungaria dhuroi një pajton me dy kuaj lipizian, Franca një servis porcelani Sevre, Musolini disa vazo që dikur i përkisnin Napoleonit dhe Mbreti Viktor Emanuel III një statujë antike prej bronzi.

Dhurata që binte më shumë në sy ishte ajo e Kancelarit të Gjermanisë, Hitler-it, një “Mercedes” sportiv kabriole i kuq, Tipi C540 K me kompresor.

Kur Hitleri i dhuroi Mbretit Zog një Mercedes për martesë...

Kjo makinë që ishte ndër më të shtrenjtat dhe të veçantat e kohës ishte krenaria e industrisë së automobilave gjermane. Sigurisht që në një rast të tillë duhej të dhurohej diçka e veçantë, më e mira, ajo që e dallonte zhvillimin industrial gjerman. Të njëjtën dhuratë Hitler-i i kishte bërë më parë edhe Mbretit Faruk të Egjiptit.

Më poshtë po botojmë letrën që Hitleri i dërgon Mbretit Zog për dërgimin e automobilit më 19 prill 1939 si edhe letrën falënderuese të Mbretit Zog dërguar Hitlerit më 9 maj 1938. Në fund të letrës Zogu shkruan: “Me gëzim të madh shfrytëzoj rastin që t’ju shpreh edhe unë urimet e mia më të përzemërta për shëndetin tuaj dhe për një të ardhme të bukur dhe madhështore të popullit dhe Rajhut gjerman, të cilin e kam shumë përzemër...” 

***

Fyhrer-i dhe kanzelari                          Berlin, më 19 prill 1938

Madhëria Juaj,

Jam i nderuar që, nëpërmjet Ministrit tim në Tiranë, t’ju dorëzoj dhuratën e martesës - për të cilën ju kam vënë në dijeni -, automobilin më të ri të fabrikës së Daimler-Benz-it, një Mercedes 8-cilindërsh, sportiv, kabriolet, Tipi C540 K me kompresor. I kam dhënë detyrë drejtorit të fabrikës. z. Jakob Werlin, që t’jua dorëzojë personalisht automobilin. Do të isha tepër i lumtur, nëse automobili do t’i pëlqejë Madhërisë suaj.

Shfrytëzoj rastin t’ju përcjell edhe njëherë urimet e mia më të përzemërta, Madhërisë suaj dhe familjes mbretërore...”.

Kur Hitleri i dhuroi Mbretit Zog një Mercedes për martesë...
Letër e Hitler-it dërguar Zogut për dhuratën e martesës, Berlin 19 prill 1938.

Ndërsa Mbreti Zog më 9 maj 1938 u përgjigj:

“Ekselenca Juaj,

Ekselenca e tij, ministri gjerman dhe drejtori i fabrikes se Daimler-Benz-it, z. Jakob Werlin, më dorëzuan në emrin Tuaj Mercedesin e bukur sportiv cabriolet, që Ekselenca Juaj pati mirësinë të ma dhuronte me rastin e martesës sime. Është një nder i veçantë për mua Ekselenca Juaj, që t’ju transmetoj falënderimet e mia më të përzemërta për këtë dhuratë të mrekullueshme dhe njëkohësisht t’ju përgëzoj Ju, krijuesin e vërtetë të zhvillimit të ri gjerman, ndërkohë që ky automobil është një provë e qartë e arritjeve të industrisë gjermane të automobilave.

Fjalët dhe urimet e ngrohta që ekselenca Juaj kishte zgjedhur për mua dhe familjen time, më kanë prekur thellësisht.

Me gëzim të madh shfrytëzoj rastin që t’ju shpreh edhe unë urimet e mia më të përzemërta për shëndetin tuaj dhe për një të ardhme të bukur dhe madhështore të popullit dhe Rajhut gjerman, të cilin e kam shumë përzemër...” 

Kur Hitleri i dhuroi Mbretit Zog një Mercedes për martesë...

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video