Zemërimi i mbretëreshës Teuta dhe si romakët pushtuan për herë të parë Ilirinë

1 Nëntor 2022, 19:29Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zemërimi i mbretëreshës Teuta dhe si romakët pushtuan për herë të parë Ilirinë

Më 25 maj të viti 229 pes, romakët pushtuan për herë të parë Ilirinë. Dy konsuj, Fulvus dhe Postimius, me ushtritë e tyre (njëri nga deti e tjetri nga toka) u dërguan për të ndëshkuar mbretëreshën Teuta. Ajo kishte vrarë ambasadorin romak, pasi ky i ishte përgjigjur pa respekt.

Zemërimi i Teutës

Teuta u vu në krye të shtetit e të ushtrisë ilire dhe e mori drejtimin e shtetit në një periudhë të lulëzuar, por do të duhej dora dhe mendja e saj për ta çuar më tej këtë përparim. Teuta u bazua dhe u mundua që të çonte më tej planet e lëna përgjysmë të Mbretit Agron, për sa i përkiste përforcimit të mëtejshëm të rendit shtetëror e çfarë duhet përmendur është se ajo i dha përparësi pushtetit qendror, i dha impulse zhvillimit ekonomiko -kulturor të qyteteve si dhe fuqizimin në fushën ushtarake. Ajo u kujdes të mos cenoheshin kufijtë e mëparshëm të Mbretërisë. Por vlen të përmendet se vëmendjen kryesore ia kushtoi flotës, ndërtoi disa anije luftarake të quajtura “Liburne”, të cilat bënin ligjin në detin Adriatik. Një shtet kaq i fuqishëm, me një fuqi detare të madhe, që sfidonte deri në hyrje të Mesdheut nuk mund të pranohej qoftë edhe në heshtje nga shtetet fqinje.

Teuta u bë objekt interesimi e diskutimi në shtetet përreth, sidomos në Romë, a mund ta duronte Perandoria Romake rivalitetin e një gruaje?

Historiani Polybius (203 pes-120 pes) tregon se, Roma dërgoi në oborrin e mbretëreshës Teuta dy ambasadorë për ta paralajmëruar që ilirët duhej të ndërprisnin piraterinë ndaj anijeve dhe brigjeve italiane.

Zemërimi i mbretëreshës Teuta dhe si romakët pushtuan

Teuta iu përgjigj se ilirët ishin njerëz të lirë dhe nuk kishin nevojë për urdhërat e saj se si të silleshin.

Një nga ambasadorët, ai më i riu në moshë, ia ktheu: ‘Mbretëreshë Teuta, romakët kanë një traditë të shkëlqyer se është shteti që merret me dënimin e atyre që kryejnë gabime, dhe me ndihmën e atyre që vuajnë gabime. Me ndihmë të Zotit, ne do të bëjmë sa më shpejt ç’është e mundur që mbretëresha ilire të ndryshojë mënyrën se si qeveris nënshtetasit e saj’.

Ishin këto fjalë, në oborrin e saj, nga një i huaj, që e zemëruan Teutën, e cila dërgoi njerëz dhe e vranë, ndërsa ambasadori po i hipte anijes për t’u kthyer në vendin e tij. Kur lajmi mbërriti në Romë, romakët u zemëruan së tepërmi dhe autoritetet menjëherë filluan mbledhjen e legjioneve, përgatitën flotën, dhe u nisën për herë të parë drejt brigjeve të Ilirisë dhe asaj pjese të Europës.

Pushtimi dhe tradhtia

Romakët me rreth njëzetë mijë vetë dhe me dyqind anije zbarkuan në tre rajone në Durrës, Korfuz dhe Apolloni. Flota ilire u ndesh me kundërshtarë të fortë, fitoi beteja të vogla.

Gjenerali Dhimitër Fari duke menduar se do i zinte vendin Teutës e dorëzoi vetë flotën ilire.

Teuta e drejtoi shtetin për një kohë të shkurtër, por duke qenë e dobësuar nga tradhtitë e brendshme, e mbetur pa fuqinë ushtarake detare si dhe pa përkrahjen e fqinjëve, u tërhoq me forcat e pakta në qytetin e fortifikuar të Rizanit në Malin e Zi. Ndërkohë Iliria u kthye në një provincë romake.

Legjendat thonë se vdiq e vetmuar, por krenare.

Video