Tender ndërtimi, shtesë kontrate dhe tani rrugët lidhëse; “Cobial” fiton gjithmonë në Kardhiq - Delvinë!

18 Janar 2025, 21:23Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kardhiq - Delvinë

Për gjashtë vite e gjysëm me radhë, firma “Cobial” ka dalë gjithmoë fituese e disa tenderëve të rrugës Kardhiq – Delvinë, kostoja e së cilës u shtua me kontrata shtesë dhe të dyshimtë. Madje, një ish-drejtoreshë është nën akuzë për abuzimet me këto tendera.

Pasardhësit e saj në detyrë vijojnë që të firmosin ende në 2025-ën tendera për këtë aks, duke u kamufluar me rrugës e fshatrave. Por, ato janë rrugët lidhëse të këtij segmenti, i cili vijon të gllabërojë para publike, pa i hyrë gjembë në këmbë askujt.

Rasti i firmës “Cobial” është shembulli i qartë; fitoi tenderin e madh të ndërtimit me vlerë 28 milionë euro, mori shtesë kontrata 4.6 milionë euro dhe tashmë merr edhe 2.5 milionë të tjera për një rrugë lidhëse.

Oferta e tenderit të fundit nuk a qenë më e vogla e firmës “së preferuar”, por sërish me mekanizma ligjorë dhe përjashtues ia doli të fitojë kontratën dhe të vijojë të punojë në atë segment!

 

Tender ndërtimi, shtesë kontrate dhe tani rrugët lidhëse;
Në vitin 2025, ARRSH e shpali fitues firmën “Cobial” për rrugën Shijan – Delvinë

 

Në datën 16 janar 2025, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesin e tenderit të radhës në Kardhiq – Delvinë. Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, drejtori Gentian Gjyli ka shpallur fitues firmën “COBIAL” të kontratës
“rehabilitim i segmentit rrugor Shijan - Delvinë dhe rruga lidhëse e fshatit Vergo, ndriçimi i rrethrrotullimit të Shijanit”.

Fondi limi i kësaj procedure ishte 288 milionë lekë pa TVSH, teksa afati për zbatimin e saj është 8 muaj. Dyshimet janë se fituesi ishte i paracaktuar, pasi në dokumente ARRSH shkruante se fituesi do të dilte nga një metodologji, ku çmimi kishte 50 pikë, grafiku i punimeve 15, stafi po 15 dhe 10 pikë kishte ndikimi në mjedis dhe mirëmbajtja.

Në tender mori pjesë “COBIAL” me ofertë 254 milionë dhe BOE “ARKONSTUDIO” & “KTHELLA” me ofertë 240 milionë. Pra, rreth 14 milionë më pak sesa fituesi. Por, ARRSH e skualifikoi ofertën më të ulët, pasi mori më pak pikë sesa oferta e parë. Një metodologji e diskutueshme, pasi dukshëm favorizoi ofertën më të lartë, ashtu siç ishte paralajmëruar.

Tender ndërtimi, shtesë kontrate dhe tani rrugët lidhëse;
Tenderi i rrugës Shijan – Delvinë është pjesë e segmentit Kardhiq – Delvinë

VoxNews shfletoi dokumentet shoqëruese, ku rezulton se paratë e hedhura nga ARRSH janë për rrugës lidhëse të segmentit Kardhiq – Delvinë. Në dokumente shkruhet se “Autoriteti Rrugor Shqiptar nisur nga problematikat e ngritura nga Bashkia Delvinë dhe banorët e fshatit Vergo, parashikon të rehabilitojë një rrugë lokale-urbane me gjatësi totale rreth 7.5 km. Për segmentin lidhja e fshatit Vergo, me aksin kryesor Kardhiq-Delvinë, të bëhet në pikën me koordinata X. Për këtë segment do të hartohet projekt-zbatimi, nga kontraktori (konsulenti). Në këto terma reference kërkohet rehabilitim i segmentit rrugor Shijan-Delvinë, ndriçimi i rrethrrotullimit të Shijanit, ku për këtë segment ka projekt-zbatimi si dhe ndërtimin e projektimin e segmentit lidhës të rruges së fshatit Vergo me aksin kryesor KardhiqDelvinë” thuhet në këto dokumente.

ARRSH në këtë tender i a detyra fituesit që të bëjë edhe projektin e lidhjes me rrugën Kardhiq-Delvinë. “Lidhja të bëhet nepërmjet një nyje e cila është jashtë standartit të projektimit, duke u bërë problem për sigurinë në rrugë dhe komoditetin e lëvizjes së përdoruesve të rrugës” thuhet në këto dokumente.

Tender ndërtimi, shtesë kontrate dhe tani rrugët lidhëse;
Firma ‘Cobial’ bashkë me firmën ‘Gjoka’ fitoi në 2018-ën 28 milionë euro për lotin 4

Në vitin 2018, ARRSH shpalli fituesit e lotit 4 të rrugës Kardhiq – Delvinë, ku ky aks u bë me disa lote, disa prejtë cilëve kishin filluar vite më parë. Fondi limit ishte 2.4 miliardë, teksa me TVSH shuma shkoi në 2.8 miliardë, ose 28 milionë euro.

Objekti i kontratës ishte ndërtim rruga Kardhiq – Delvinë loti 4, teksa projekti është hartuar nga disa shqoëri. “Qëllimi i investimit është ndërtimi dhe përfundimi i plotë i aksit rrugor Kardhiq – Delvinë, lidhjen me segmentet rrugore të përfunduara dhe me ato që do të ndërtohen në vazhdim.

Tender ndërtimi, shtesë kontrate dhe tani rrugët lidhëse;
Në vitin 2021, ARRSH i dha një fond shtesë firmave në vlerën e 4.6 milionë eurove

Ende pa përfunduar kontrata e ndërtimit, në vitin 2021, Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtuar në atë kohë nga Ergys Verdha u dha “shpërblime” të gjitha firmave që po ndërtonin aksin Kardhiq – Delvinë. Një nga lotet që mori shtesë ishte ai 4, ku operonte ‘Cobial’ dhe ‘Gjoka’.

Sipas dokumenteve, procedura u bë me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit, teksa ishte shtesë punimesh në tenderin “ndërtim rruga Kardhiq - Delvinë, Loti 4”. “Nevoja për punë shtesë është shkaktuar si i punimeve shtesë, të paparashikuar, që nuk varen nga Autoriteti Kontraktor (gjeologjinë dhe problematikat teknike që kanë dalë gjatë kohës së zbatimit), nuk ndahen teknikisht nga kontrata fillestare. Të gjitha këto punime janë të ndërthurura me kontratën bazë dhe janë të nevojshme për përfundimin e kontratës bazë. Kontrata shtesë nuk kalon 20% të vlerës së kontratës bazë” thuhet në dokumente.

Këto firma, sipas këtij dokumenti morën plot 465 milionë lekë si shtesë punimesh. Pra, pasi morën tenderin e madh, shtesën e punimeve, tani marrin edhe rrugët lidhëse, paavrësisht se s’kishin ofertën më të ulët. A mos ka qenë edhe kjo procedurë e paracaktuar?!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Dokumenta bashkëngjitur

Video