Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur konfiskimin 100 % të aksioneve të RTV ORA, me pronar biznesmenin Ylli Ndroqi.
Vendimi i sotëm i GJKKO përfshin konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të RTV ORA.
Edhe pse është një vendim i Gjykatës dhe nuk mund të komentohet, ajo që dihet botërisht është fakti se ORA News po mbyllet për shkak të prishjes së marrëveshjes me qeverinë dhe eksponentë të rëndësishëm të mazhorancës.
Ky nuk është rasti i parë pasi më herët Qeveria po në mënyrë arbitrare mbylli dhe televizionin Agon Channel të biznesmenit italian Francesko Beketi.
Por nuk është as rasti i fundit, pasi siç mëson Vox News, kryeministri ka urdhëruar ngritjen e një ‘Task Force’ nga Drejtoria e Tatimeve për të kontrolluar pesë televizione të tjera.
Bëhet e ditur se në listë janë News 24, Fax News, Syri TV, Abc News dhe Vizion Plus.
Tatimorët janë shfaqur në redaksitë e mediave dhe në mënyrë jo profesionale po kontaktojnë punonjësit duke iu bërë pyetje që të bënte Sigurimi i Shtetit.
Ju kërkon punonjësve llogari për të ardhurat, pse pranojnë të rrinë në punë me rrogë të ulët kur tregu sipas tyre ka pagesa më të larta, etj.
Sigurisht që Tatimet janë në të drejtën e tyre dhe televizionet si çdo biznes duhet të jenë korrekt me deklarimin e të ardhura dhe bilanceve.
Por ajo që duhet të thënë është fakti se nuk jemi në rastin e një kontrolli për të vendosur rregull dhe zbatim ligji, por jemi në një presion të pastër që kryeministri po bën ndaj medias.
Kjo vërtetohet në të gjitha raportet ndërkombëtare ku Shqipëria po humbet çdo vit e më shumë terren me lirinë e shprehjes.
Burime nga qeveria bëjnë të ditur se kryeministrit i është bërë një raport nga agjencia e tij e propagandës dhe sipas tyre asnjë televizion nuk është i pozicionuar krah qeverisë. Kjo ka bërë që Rama të përdorë forcën verbale si fillim që do shkojë deri në mbyllje siç është rasti i sotëm i Ora News.
Ditët e fundit Edi Rama është përfshirë në një përplasje publike me televizionin më të madh në vend Top Channel për faktin se ky televizion ka pasur disa kronika kritike ndaj qeverisë.
Rama këtë herë ka zgjedhur të bëjë shantazh duke intimiduar median se po e godet për të përfituar, por nuk thotë asnjë fjalë nëse kritikat qëndrojnë apo janë të rreme.
Me këtë rrugë që ka nisur, kryeministri duket se është i vendosur që të gjitha ekraneve shqiptare t’iu vendosë logon ERTV.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.