Prej afro 15 ditësh televizioni kombëtar Top Channel ka raportuar me një “dozë” më të lartë kritike mbi zhvillimet e aktualitetit social, ekonomik e politik në vend.
Po kaq kohë ka që Kryeministri Edi Rama po bën cicërima në twitter duke akuzuar televizionin se po bënë shantazh.
Kulmin e arriti ditën e mërkurë kur Rama publikoi pjesë të një projekti të televizionit se po shantazhon AZHBR-në pasi kjo e fundit nuk i ka akorduar një mbështetje financiare prej 12 milionë lekësh në këmbim të promovimit të investimeve që ky institucion dhe Ministria ka kryer në bujqësi.
“Ja për shembull se si funksionon shantazhi mediatik. Kërkohen 120 mln lek nga AZHBR për t’u treguar shqiptarëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale”, – shkruan Rama, ndërsa poston një aplikim të televizionit për fonde.
Në këtë dokument vërehet propozimi për realizimin e 50 materialeve 35 minutëshe, që përfshijnë transmetimet dhe ritransmetimet javore si dhe 300 videospote që do të shpërndahen në rrjetet sociale kundrejt kësaj shume. Në këmbim, institucioni i AZHBR-së do të mund të vendoste logon, të promovonte projektet në këtë hapësirë televizive përgjatë 10-muajve të ardhshëm.
Sipas ligjit “Për Mediat Audiovizive” transmetimi i këtyre materialeve nuk është i ndaluar në ekran për sa kohë që autorët e programit njoftojnë se materiali është i financuar apo vendoset logo e një agjencie të caktuar. Ajo që ndalon legjislacioni aktual është transmetimi i këtyre informacioneve të paguara në edicionet informative.
Por a është ky qëndrim i ri editorial një formë shantazhi që vjen nga mungesa e financimit të AZHBR-së, sikurse pretendon kryeministri?
Këtë, pak kush mund ta pohojë.
Vetë televizioni e përgënjeshtroi këtë lajm të kryeministrit.
“Top Media sqaron se ky dokument është pjesë e projekteve që Fondacioni “Dritan Hoxha”, aplikon prej 15 vitesh në institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, që kanë për qëllim promovimin, advokimin e vlerave të vendit tonë dhe virtyteve të shoqërisë tonë.
Kjo ka ndodhur në dhjetra projekte që ka zbatuar Fondacionin “Dritan Hoxha”, duke nisur nga Ministria e Kulturës, DPSHTRR, Bashkimi Europian, Bashkia Tiranë dhe bashki të tjera në vend etj. Sëfundmi Top Media po zhvillon promovimin e bizneseve Start-up, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Dhe ky projekt nuk po transmetohet nën efektet e shantazhit, por po i jepet hapësirë të rinjve që të aplikojnë në iniciativa të reja biznesi.
Duhet theksuar, se asnjë nga fondet e aplikuara në institucione, nuk përdoret për financim nga Top Channel, por ato shpenzohen vetëm për realizimin e programit dhe promovimin e vlerave” thuhet në reagimin e TCH.
Kjo sa i përket debatit të sotëm. Por ajo që shmang Edi Rama është shumë më e rëndë se këto që thotë.
Në fakt kemi të bëjmë me një shantazh nga kryeministri ndaj medias. E ka bërë më parë me Agon Channel, Ora News, News 24 dhe po e vijon tashmë me Top Channel.
Ti referohemi me fakte.
Top Channel ka bërë disa kronika ku flet për problematikat e vendit, që nga nafta, energjia, largimet masive të shqiptarëve, bujqësia etj. Në vend që kryeministri të përgënjeshtrojë kronikat dhe faktet, shantazhon televizionin se kinse ka kërkuar para.
Ai projekt ishte publik dhe me dokumente dhe Kryeministri e di shumë mirë që 12 milionë lekë për Top Channel janë kostot për produktet kozmetike për makiazhin e të ftuarve dhe nuk ndikojnë te televizioni të ndryshojë linjë editoriale.
Puna që ka bërë Top Channel këto ditë, pavarësisht nga arsyet që e kanë shtyrë është puna që duhet ta bëjë çdo media.
Pas 9 vjetësh Top Channel po bën lajme për publikun dhe kjo është e rëndësishme që të vijohet.
Në asnjë kronikë nuk ka pasur sulme personale apo riciklim të akuzave të opozitës. Kryeministrit nuk i është thënë që është përdorues droge, as të bëjë testin siç e kërkon opozita pasi TCH e di shumë mirë që kryeministri nuk tërheq asnjë dozë.
Marrëdhënia e Ramës me mediat është e komplikuar. Ai është një prodhim mediatik dhe kur i rrëzohet kjo marrëdhënie bie dhe miti i tij. Top Channel ka shumë kusure nga ana tjetër në raport me Ramën. Që nga viti 2001 dhe deri para dy javësh ai televizion na ka thënë se Edi Rama s’ka asnjë defekt dhe ka bindur shqiptarët që është alternativa më e mirë. Me apo përfitim të dy anshëm kjo është një çështje që duhet të sqarohet nga palët.
Por sulmi i Ramës ndaj mediave po bëhet çdo ditë e më shumë i papranueshëm.
Kur ai sulmon çdo zë kritik dhe çdo televizion që nuk bën propagandën e tij mund t’i referohemi shprehjes, “nuk janë çmendur të gjithë, është çmendur Ai.”
Gjithsesi në këtë situatë kaq të nderë politiko-mediatike ka dhe një shpresë të vogël.
Televizionet kryesore kanë shansin e madh të heqin vasalitetin nga Qeveria. Të heqin dorë nga pranimi i kasetave të regjistruara. Të heqin dorë nga propaganda e shëmtuar e politikës dhe të kthejnë sytë nga interesat e qytetarëve.
Në këtë rast do kenë mbështetjen e plotë dhe të publikut që ata janë të dënuar t’i përfaqësojnë.
Pjesa tjetër nëse ka shantazhe apo jo, zgjidhet në gjykatë. E sigurt është që mediat kanë ndërruar deri tashmë kryeministra nga Pandeli Majko, Ilir Meta, Fatos Nano, Sali Berisha, dhe po kështu do përcjellin dhe Edi Ramën.
Media s’duhet të ndikohet nga një kryeministër që shpesh shantazhin e bën si lojë dhe lojën si shantazh.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.