“100 ditët e Begajt si President”, heshtja publike dhe skandalet brenda Institucionit, si po zhbëhet Presidenca

2 November 2022, 12:31Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“100 ditët e Begajt si President”, heshtja publike dhe
Bajram Begaj duke takuar Edi Ramën në Kuvend pas votimit

Edhe pse ka 100 ditë në krye të Shtetit, Presidenti Bajram Begaj duket sikur është ende në pritje të marrjes zyrtare të detyrës.

Kur emri i tij doli si kandidat për të qenë i pari i Shtetit Shqiptar shumë veta ishin skeptikë se ishte një figurë, e cila nuk kishte staturën e mjaftueshme për të qenë babai i kombit dhe i mungonte eksperienca për një detyrë aq të lartë. Arrinin deri sa ta cilësonin si një noter të Edi Ramës për dekretet që i duhen Kryeministrit.

Pjesa tjetër mendonin se ishte një figurë e papërfolur dhe me integritet për të bërë atë detyrë që është më e larta në hierarkinë e shtetit.

Tashmë që janë bërë 100 ditë në krye të Institucionit, duket se grupi i dytë ka qenë më naivi.

Presidenti Bajram Begaj ka arritur të ulë në pikën më fundore Institucionin e Kreut të Shtetit.

Në më shumë se tre muaj nuk ka një qëndrim të tij, nuk ka një nismë sensibilizuese apo dhe ligjore për shumë problematika që ka vendi.

Nuk ka një dalje mediatike që shqiptarët ta njohin se kush është Presidenti i Republikës. Çfarë mendon ai për Institucionin që drejton, çfarë mendon për Qeverinë e vendit, çfarë mendon për opozitën? Cili është komenti i tij për faktin se vendi ndodhet në duart e njërës anë politike dhe mungon prania e opozitës në pushtetin vendor. Si e vlerëson ai punën e paraardhësve të tij? A ka ai forcë të kundërshtojë mazhorancën për ligje që do t’i vijnë nga parlamenti? Ai është i gatshëm ai të dalë publikisht të bëjë qoftë dhe një kritikë të vetme për Edi Ramën? Për të mos folur se çfarë mendon për Kosovën, për marrëdhëniet me jashtë, për Ukrainën etj, etj. Këto janë vetëm pak pyetje të cilat mund t’i bëheshin Presidentit nëse do kishte guximin që të dilte publikisht.

Pak javë më parë Mazhoranca i hoqi atij kompetencat e dekoratave, një ndër të paktat që i kanë ngel Presidencës. Begaj kishte rastin më të mirë për të folur, jo vetëm se mbronte veten, por dhe si ishte një nismë antiligjore ajo e shumicës.

Presidenti ka zgjedhur të heshtë, por nuk ka bërë të njëjtën gjë brenda Institucionit.

Aty, Ai ka folur, madje dhe me tone të larta. Që ditën e parë që erdhi në detyrë, mbylli derën për këshilltarët e Metës, e më pas largoi me një motiv diletantesk Drejtorin e Komunikimit, Edvin Shvarc. Prurjet e tij ishin të papërshtatshme duke punësuar ushtarakë në Institucionin që duhet të mbizotrohet nga diplomatë dhe juristë.

Më pas erdhi dhe thagma e radhës, ku me një të rënë të lapsit largoi 18 punonjës nga Shërbimi Civil, duke u kthyer “në një Gjeneral pa ushtarë” pasi dihet sa stafi i presidencës është i vogël.

Por nëse më lart kemi të bëjmë me aspektin moral të Presidentit, largimet e fundit janë fund e krye në shkelje të hapur të ligjit.

Institucioni që ka për mision të jetë garant i Kushtetutës, Unitetit të Popullit, zbatimit të ligjeve dhe mbrojtjes së Interesave të qytetarëve të Shtetit Shqiptar, Presidenti Begaj abuzon me shkeljen e ligjeve të vendit duke humbur kështu jo vetëm besueshmërinë për postin që mban, por duke vënë në pikëpyetje dhe integritetin e Institucionit që drejton.

Dy jave më parë nëpërmjet akteve abuzive dhe në shkelje të ligjit 152/2013 "Për nëpunësin civil", shkarkon nga detyra 18 punonjës të administratës pa shkak, motivacion dhe argumente ligjore.

Vox News prej ditësh po investigon këtë skandal të rëndë të abuzimit me detyrën të Presidentit Begaj dhe ka arritur të sigurojë aktet flagrante të largimit nga detyra të nëpunësve civil të Institucionit të Presidentit.

Në vijim redaksia jonë do të paraqesë me fakte të pakundërshtueshme se si Presidenti Begaj jo vetëm shkel ligjet e vendit, por me arrogancën e pushtetit që i jep pozicioni si President Republike, deklaron në aktet e largimit se dispozita ligjore për të nuk kanë asnjë vlerë.

Është e pabesueshme dhe e paimagjinueshme se si mundet që Presidenti i Republikës për mision të ketë shkeljen e ligjit dhe jo mbrojtjen dhe zbatimin e tij.

100 ditë janë pak për të parë ndryshime të mëdha në një institucion, por nisja është gjysma e punës. Dhe me këtë nisje duket se Presidenti nuk është në një situatë optimiste.

Nëse ata që e kanë vendosur në krye të vendit kanë pasur qëllim për të zhbërë institucionin e Presidencës apo për të gjetur një vend pune për Bajram Begajn për të pritur pensionin duket se janë në rrugë të mbarë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 


Video