Belind Këlliçi në prehrin e oligarkëve, nuk guxon as t'u përmend emrin

1 November 2022, 13:49Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Belind Këlliçi në prehrin e oligarkëve, nuk guxon as
Deputeti Belind Këlliçi

Shqipëria 20 vitet e fundit është kthyer në një republikë klienteliste e një grushti oligarkësh të cilët kanë përfituar në mënyrë abuzive të gjitha pasuritë e vendit.

Kjo është bërë me bekimin e Sali Berishës, Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Gojët e liga thonë se politikanët janë aksionerët dhe oligarkët janë thjeshtë fasadë. Por kjo ka pak rëndësi, rëndësi ka që oligarkët kanë emra. Ata janë Shefqet Kastrati, Samir Mane, Bashkim Ulaj, Vilma Nushi, Klodian Allajbeu e të tjerë plotë.

Çudia në këtë vend është se këta nuk i përmend askush, media jo sepse është e shtypur nga pushteti, por më shumë është e ndikuar nga paraja pasi këta janë edhe reklamuesit kryesorë, por absurdja dhe më e papranueshmja është se këta ka frikë t’i përmend edhe opozita.

Rasti më i fundit i kësaj prove ulëritëse ishte deputeti demokrat Belind Këlliçi, ku në emisionin "Të Paekspozuarit" të gazetarit Ylli Rakipi refuzoi të përmendte emrat e oligarkëve.

Këlliçi, i cili garon në primaret e PD për të siguruar kandidaturën përballë Veliajt, nuk tha emrin e asnjë syresh, madje deklaroi se gazetari është "cinik" dhe "jashtë realitetit" që bën pyetje të tilla, pra që kërkon të dijë se kush janë oligarkët, të cilët opozita i "denoncon" shpesh, por pa thënë emra.

Po a është kjo e moralshme për një opozitë?

Me këtë mënyrë opozita ka për të pasur pakicën e qytetarëve edhe për 100 vjet, pasi jo vetëm që është e kastruar përballë të keqes së madhe të vendit, por është edhe e blerë.

Tani të kthehemi te politikani i ri Belind Këlliçi, i cili po kërkon të jetë qytetari i parë i Tiranës.

Ai me gojën e tij tha se nuk i përmend emrat sepse kjo është gjobëvenie ndaj biznesit të ndershëm.

Po në rastet ku ka përmendur emra të përveçëm a nuk është kjo një gjobëvenie?

Ka shumë raste që Këlliçi ka përmendur emra oligarkësh dhe koncesionesh, mesa duket ka qenë gjobë nëse i referohemi logjikës së tij.

Ne nuk duam t’i përmendim as faktin që është vasal i Belinda Ballukut, as që në zgjedhje bënë mes tyre marrëveshje për rezultatin në Kombinat, as që është dhëndër në PS. Por një pyetje të thjesht mund t’ia bëjmë. A është Këlliçi i denjë për të qenë kryebashkiaku i Tiranës? Për ta kuptuar dhe për të mos bërë shumë komente lexoni më poshtë një pjesë të intervistës së bërë me gazetarin Rakipi:

Ylli Rakipi: E zëmë se fitove ti. Dy “baballarët”, Sali Berisha dhe Ilir Meta, shumë njerëz mendojnë se këta të dy, do të jenë kryetarët e Bashkisë në hije. Ti çfarë ju thua qytetarëve?

Belind Këlliçi: Pronarë të Tiranës do të jenë qytetarët. Unë kam një fytyrë, si kur vij këtu, si kur dal në rrugë, si kur shkoj para familjes time, si kur shkoj te ata njerëz që më njohin të gjithë jetën. Nëse zgjidhet Belind Këlliçi, kryetar i Bashkisë së Tiranës do të jetë Belind Këlliçi.

Ylli Rakipi: Si do bësh ti, sikur Berisha apo Meta, apo Shkëlzeni vjen edhe thotë dua këtë pallat? Siç ndahen gjërat këtu, kullat... Ti si do të bësh në këto raste?

Belind Këlliçi: Jam i vendosur, të mos lejoj asnjë ndërtim asnjë metër katror, as në park, as në toka shtetërore, apo edhe lulishtet për ti kthyer në pallate. Është vendim i imi i prerë.

Ylli Rakipi: PD thotë se Tirana i është ndarë 4-5 të pasurve, oligarkëve. Kush janë oligarkët në Shqipëri?

Belind Këlliçi: Je shumë cinik në pyetje. Je shumë jashtë realitetit.

Të sfidoj të më gjesh mua lidhje me një oligark. Unë nuk flas me gjuhën e vjetër dhe nuk vë gjoba. Nuk jam kundër biznesit të ndershëm.

Ylli Rakipi: Ç'lidhje ka kjo me gjobat? Unë po të pyes kush janë oligarkët. Ti nuk paske ndryshim nga Veliaj. Ndryshoni vetëm në fytyrë.

Belind Këlliçi: Fyerje më të rëndë se kjo nuk ka.

Ylli Rakipi: Unë të kërkova emra oligarkësh. Ti ishe në dasmën e tjetrit, ulur me oligarkun në tavolinë.

Belind Këlliçi: Unë kam qenë në dasmën e shokut të forumit dhe kam qenë me gjashtë vetë të forumit.

Ylli Rakipi: Kush janë oligarkët? Ju bërtisni për oligarkët.

Belind Këlliçi: Unë nuk ju vë gjoba oligarkëve. Kjo është praktikë gjobash.

Ylli Rakipi: Jo dasma e forumit, por dasma e Shkëlzenit. Po flas që rrije me oligarkun.

Belind Këlliçi: Unë nuk ju vë gjoba oligarkëve.

Ylli Rakipi: Ti ke qenë aty me oligarkë, të lani dhe të lyeni. Si qenka pyetje cinike kur unë pyes kush janë oligarkët? Nuk thua asnjë emër. Do të bëhesh ti kryetar Bashkie nesër?!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video