Presidenti Bajram Begaj po u afrohet 100 ditëve në krye të shtetit. Kompetencat që ka janë më shumë simbolike, por koha është e mjaftueshme për të bërë disa bilance.
Por, cili është bilanci i Bajram Begajt si President i vendit? Kreu ende i ri i shtetit nuk ka një marrëdhënie të mirë me mediat. Përveç njoftimeve formale që dërgon nga zyra e shtypit dhe faqja zyrtare e Presidencës, daljet e tij mediatike janë zero.
Ka disa zëra që Begaj ka marrë disa ftesa në seri nga moderatorë të televizioneve kombëtare, por nuk u ka shkuar ende nëpër studio.
Pse i trembet Bajram Begaj daljes para mediave? Si i ri në detyrë, daljet duhej të ishin sa më të shpeshta të mundshme për të bindur shqiptarët se pse e meriton postin që mban, sepse fundja fare nga taksat e shqiptarëve paguhet si për rrogën, ashtu edhe për privilegjet që gëzon bashkë me familjen.
Komuniteti i gazetarëve dhe analistëve po mundohet që ta kuptojë arsyen e refuzimit të daljeve publike të Bajram Begajt dhe me shaka thuhet korridoreve se ai po pret miratimin e Edi Ramës dhe ky miratim nuk është dhënë ende.
Sot figura e Presidentit është edhe më ‘misterioze’ se ç’ishte në fillim. Këtë e tregojnë edhe sondazhet e fundit, që e nxirrnin politikanin e vetëm për të cilin shumica e shqiptarëve nuk kanë një mendim, as pozitiv dhe as negativ.
Por, teksa ruan ‘neutralitetin’ në opinion, Bajram Begajt po i rrëshket toka nën Presidencë dhe institucioni po i degradon çdo ditë e më shumë nga intrigat e bërryllat e protagonizmave.
Sipas burimeve të Vox News përplasje dhe bërryla nuk ka më mes të vjetërve dhe të rinjve, por dhe mes stafit të ngushtë të Presidentit. Shefi i kabinetit nuk komunikon me Sekretarin e përgjithshëm, ndërsa Begaj është distancuar edhe nga stafi i tij i ngushtë me të cilët komunikon me ndërmjetës.
Shkak janë bërë lëvizjet e gabuara që atij i kanë sugjeruar. Kujtojmë se pak kohë më parë ai hoqi nga puna drejtorin e komunikimit, Edvin Shvarc me një motivacion banal që iu kthye në bumerang edhe në opinionin publik.
Po ashtu iu mbylli dyert këshilltarëve që mos të shkonin në zyrë. Duke parë se nuk mund të largonte njerëzit me dhunë ai i është kthyer rrugës ligjore. Tashmë, ai ka bërë një strukturë të re e cila i ka krijuar idenë se do e ketë më të lehtë për të larguar punonjësit e Presidencës.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.