Prej muajsh Presidenti francez Emmanuel Macron ka hedhur idenë e komunitetit europian. I vetmi detaj nga ideja është ajo e themelimit të një bashkësie, me në qendër vendet e BE-së dhe anëtare të gjitha shtetet e kontinentit që kontribuojnë në sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e Europës.
Veç kësaj nuk ka asgjë në lidhje me fuqinë e këtij organizmi, vendimmarrjen, anëtarësinë, mënyrën e organizimitdhe lidhjet mes shteteve.
Këto dhe të tjera pyetje që kanë mbetur pa përgjigje kanë nxitur kritikat, duke e krahasuar nismën e Macron me atë të Eurovizionit.
Një dokument i diskutuar mes ambasadorëve të BE-së në qershor të këtij viti thotë se komuniteti do të jetë i hapur për të gjitha vendet që ndajnë vlera të përbashkëta për demokracinë, pavarësisht nëse janë apo jo anëtare të BE, apo natyrës së marrëdhënieve me bllokun, nëse duan t’i bashkohen, nuk duan dhe nuk planifikojnë, janë larguar apo janë të lidhura vetëm përmes marrëveshjeve ekonomike’.
Macron e propozoi këtë komunitet në muajin maj, me idenë që do të mbrojë më mirë vendet aleate të Bashkimit Europian dhe ato që duan anëtarësimin.
Por, ideja e Macron është kritikuar si një manovër për të ‘lënë jashtë’ Bashkimit Europian vendet që prej vitesh kanë statusin kandidat, janë në bisedime dhe kanë sakrifikuar në procesin e integrimit.
Për më tepër, Macron nuk jep asnjë detaj në këtë propozim se si ky komunitet do të ofrojë siguri dhe garanci më të madhe për vende mike të BE-së ndaj kërcënimeve të aktorëve të tretë, si Rusia, Kina, apo edhe Turqia.