Samiti dhe parada ushtarake në Pekin dha mesazhin e qartë se siguria e Europës nuk do të jetë më kurrë e njëjtë

4 Shtator 2025, 18:51Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një paradë dhe samiti në Kinë, pse siguria europiane nuk do të jetë më e njëjtë

Ivana Kottasová - CNN

Këtë javë, presidenti rus Vladimir Putin dha një mesazh të qartë për Ukrainën dhe aleatët e saj europianë: Moska mund të vazhdojë luftën, sepse ka miq të fuqishëm.

Lideri rus u shfaq krah për krah në një sërë aktivitetesh në Kinë me njerëzit që e kanë ndihmuar ta zgjasë dhe ta ashpërsojë luftën e tij kundër Ukrainës: presidentin kinez Xi Jinping, kryeministrin indian Narendra Modi, presidentin iranian Masoud Pezeshkian dhe udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Më shumë se tre vjet pas asaj që Putin mendonte se do të ishte një pushtim i shpejtë i një fqinji shumë më të vogël e më të dobët, Rusia nuk do të ishte në gjendje ta mbante luftën pa paratë e Kinës dhe Indisë, armët iraniane dhe, në një masë më të vogël, fuqinë punëtore nga Koreja e Veriut.

Por mesazhi nga samiti dhe parada ushtarake që Kina organizoi këtë javë shkoi shumë përtej luftës në Ukrainë.

Fundi i dominimit perëndimor?

Liderët që u mblodhën në Kinë nuk pajtohen për çdo gjë. Disa prej tyre mund të mos e duan as shoqërinë e njëri-tjetrit. Por të gjithë po shohin një mundësi të artë për t’i dhënë fund dominimit perëndimor në skenën botërore. Dhe Evropa ka frikë se mund të jetë në shënjestër.

Ngjarjet ishin një kujtesë vizuale e fortë pse Evropa duhet të rishikojë konceptin e saj për sigurinë. Kontinenti ka kaluar vite duke u përpjekur të izolojë Putinin dhe të godasë ekonominë e tij, ndërkohë që përballet me faktin se Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë më aleati i sigurt ku të mbështetet.

Megjithatë, Putin u shfaq aty, përkrah disa prej burrave më të fuqishëm në botë, duke ripohuar miqësitë e tij.

“Rusia po përpiqet të tregojë se edhe pse është izoluar nga bota perëndimore, ajo ende ka partnerë dhe aleatë që janë vende ekonomikisht të forta… Dhe kjo izolim nuk do të thotë se ekonomia ruse do të shembet ose se Rusia nuk do të jetë në gjendje të mbajë përpjekjen e saj luftarake”, tha për CNN Natia Seskuria, eksperte pranë Royal United Services Institute (RUSI).

Rendi ndërkombëtar i vendosur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë është qartazi në rrezik shpërbërjeje.

SHBA është tërhequr nga skena botërore nën presidencën e Donald Trump dhe politikën e tij “Amerika e Para”. Ndërkohë, Evropa po përballet me demonët e vet: rritjen e nacionalizmit të djathtë ekstrem dhe presionet ekonomike.

Rusia, Kina, India dhe vende të tjera që nuk e pëlqenin një botë të dominuar nga SHBA papritur panë një mundësi.

“Dominimi i vendosur i aleancës perëndimore në marrëdhëniet ndërkombëtare po zbehet, dhe ata e shohin këtë si një shans për të rindërtuar sistemin ndërkombëtar”, tha për CNN John Lough, drejtues i qendrës së mendimit Neë Eurasian Strategies.

Këtë javë, këto ambicie u bënë të dukshme për të gjithë, përfshirë edhe Trumpin. Ai reagoi me sarkazëm: “Ju lutem përcillni përshëndetjet e mia më të ngrohta për Vladimir Putinin dhe Kim Jong Un, ndërsa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump në një mesazh për Xi Jinping.

Miqësi me kushte

Pavarësisht shtrëngimeve të duarve dhe buzëqeshjeve të fundit, qëndrimi i Kinës dhe Indisë për luftën në Ukrainë mbetet pragmatist.

Dy vendet pretendojnë neutralitet, por në të njëjtën kohë ushqejnë luftën duke i dhënë Moskës oksigjen financiar.

Kur Perëndimi vendosi sanksione ndaj naftës ruse, Kina dhe India u futën menjëherë në lojë. Rezultati: energji më e lirë për ta dhe të ardhura për Rusinë. Por ekspertët thonë se kjo nuk lidhet vetëm me paratë.

Edhe pse as Kina dhe as India nuk janë gati përballjeje të drejtpërdrejtë me Perëndimin, të dyja janë të kënaqura ta shohin Rusinë duke shtyrë një axhendë anti-perëndimore.

Sipas Lough, kjo qasje e Moskës i përshtatet edhe narrativës indiane: “Indianët nuk janë të pakënaqur kur shohin Rusinë që mbron interesat e Jugut Global dhe që kërkon që sistemi i qeverisjes botërore të përshtatet për ekonomitë në rritje me popullsi të mëdha.”

Aktualisht, Kina dhe India janë blerësit më të mëdhenj të naftës dhe qymyrit rus. Pekini është edhe blerësi i dytë më i madh i gazit dhe produkteve të naftës nga Moska.

Mbështetja nuk ndalet vetëm te nafta. Sipas Thesarit amerikan, kompani kineze dhe indiane kanë furnizuar Rusinë me teknologji të dyfishta, komponentë që mund të përdoren si për qëllime civile, edhe ushtarake, siç janë çipet dhe pajisjet e telekomunikacionit që Moska nuk i siguron dot për shkak të sanksioneve.

“Mjafton të shohësh numrin e komponentëve kinezë në dronët rusë që bien mbi Ukrainë, për të kuptuar se Kina është furnizues jetik,” shtoi Lough.

Nga ana tjetër, Ukraina dhe aleatët europianë nuk duan t’i mbyllin plotësisht dyert për Kinën dhe Indinë, sepse e dinë se vetëm ato, në mungesë të një qëndrimi më të ashpër nga Trump, mund të ushtrojnë presion real mbi Putinin për t’i dhënë fund luftës.

Aleancat e kufizuara

Ndërkohë, Koreja e Veriut dhe Irani janë vendosur fort në krah të Rusisë. Të izoluar e të sanksionuar prej kohësh, ata nuk kanë shumë për të humbur.

Irani ishte vendimtar për Moskën në muajt e parë të luftës, duke i ofruar njohuri për të zbutur efektin e sanksioneve dhe, mbi të gjitha, armë. Droni Shahed është arma që ka ndryshuar mënyrën se si Rusia lufton në Ukrainë.

Të dy vendet kanë firmosur marrëveshje të reja partneriteti dhe kanë zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake. Por Teherani ka mësuar se miqësia me Rusinë ka kufijtë e saj.

Putin nuk i erdhi në ndihmë kur Irani u sulmua nga Izraeli dhe më pas nga SHBA këtë verë. Edhe në Siri, përveçse i ofroi një dalje të sigurt ish-presidentit Bashar al-Assad, Rusia nuk ndërhyri kur regjimi i tij u rrëzua në dhjetor.

Për Korenë e Veriut, marrëdhënia me Rusinë është kryesisht transaksionale. Moska ka nevojë për burime njerëzore, dhe Pheniani është ndoshta i vetmi që mund të dërgojë trupa pa u shqetësuar për reagimin e opinionit publik.

Realizëm dhe interes

Pritja madhështore që iu bë Putinit në Kinë dhe forca diplomatike e shfaqur gjatë samitit dhe paradës ushtarake kishin një synim të qartë: t’i tregonin SHBA-së dhe aleatëve të saj se ky grup vendesh është një forcë që duhet marrë seriozisht.

“Këtu kemi një simbol të vendeve që nuk janë domosdoshmërisht miq të ngushtë, por që ndajnë interesa strategjike të përbashkëta dhe arrijnë të rreshtohen përballë Perëndimit,” tha Lough.

Por sa e qëndrueshme është kjo?

Ngjarjet në Kinë nuk ndodhën brenda natës. Evropa mund të jetë kapur e papërgatitur nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës, por ka ndryshuar që prej asaj kohe.

“Po shohim tashmë se nga çfarë janë bërë europianët. Në mbrojtje ka zhvillime të jashtëzakonshme,” tha Lough.

Ajo që deri dje dukej e pamendueshme, Gjermania që ndryshon kushtetutën për të rritur shpenzimet ushtarake, ose Suedia e Finlanda, tradicionalisht neutrale, që bashkohen me NATO-n – është realitet për shkak të përmbysjeve gjeopolitike të këtyre viteve.

Sipas analistëve, lidhja e Putinit me Xi dhe Modin nuk është një aleancë miqësore, por një bashkim interesash. Dhe interesat mund të ndryshojnë.

“Nuk jemi në një pikë ku mund të themi se loja ka marrë fund, vetëm sepse disa liderë që nuk na pëlqejnë u mblodhën në Kinë për një festë të madhe,” theksoi Lough.


Video