Qeveria i ka lekët për të blerë energjinë elektrike, por s’i merr dot prej vitesh

18 March 2022, 19:48Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Qeveria i ka lekët për të blerë energjinë elektrike,

Pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama foli për dy skenarë të mundshëm për kostot e energjisë elektrike në buxhetin e shtetit, skenarin e parë, atë me çmimin mbi 500 euro të një MWh në tregjet ndërkombëtare dhe i dyti i çmimit rreth 250 euro i MWh në këto bursa.

Duke iu referuar këtyre çmimeve, Kryeministri tha se në të dyja rastet buxheti i shtetit përllogariste shifra marramendëse për të mbuluar kostot deri në fund të këtij viti dhe shmangur rritjen e çmimit të energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla.

Për skenarin e parë, Rama deklaroi shifrën nga 650 mln deri në 700 mln euro, ndërsa për të dytin nga 250 mln deri në 280 mln euro. Me çmimet aktuale në tregjet ndërkombëtare, kostoja ndodhet në skenarin e dytë.

Duke përmendur këto shifra, Kryeministri shpjegon se përse nuk mund të heqë, ose ulë asnjë taksë te nafta, duke nënkuptuar se paratë e mbledhura përmes këtyre taksave shkojnë për të paguar faturën e energjisë elektrike, që thotë se mbulohet 80 për qind nga Qeveria dhe 20 për qind nga qytetarët e biznesi i vogël.

Por, paratë aty janë dhe borxhliu më i madh në sektorin e energjitikës është vetë shteti. Sipas të dhënave të tetorit të 2021, institucionet shtetërore kanë dyfishuar borxhet që i kanë OSHEE-së me faturat e energjisë elektrike në krahasim me 2013-n.

Në 2013-n, borxhi ndaj OSHEE i institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore të shtetit përllogaritej në rreth 10 mld lek, ose rreth 80 mln euro. Në tetor të vitit të kaluar, ky borxh kërceu në 20 mld lek, ose rreth 160-165 mln euro.

Borxhlinjtë më të mëdhenj ndaj OSHEE janë ujësjellësat, që ndër vite kanë akumuluar borxh pas borxhi, aq sa në një mbledhje të komisionit të ekonomisë gjatë diskutimeve të buxhetit 2022 në nëntor të vitit të kaluar, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në cilësinë e kreut të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, kërkoi që të gjendet një zgjidhje.

Nisur nga gjendja financiare e ujësjellësave, pak ditë pas marrjes së mandatit të tretë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi një reformim të ujësjellësave, duke i organizuar e përqëndruar ata në një shoqëri të ngjashme me OSHEE, ku ujësjellësit e çdo bashkie do të jenë aksionerë.

Problematika tjetër e ngritur nga Rama në shtator të vitit të kaluar në një prej takimeve që zhvilloi me kryebashkiakët e vendit ishte edhe fryrja artificiale e administratës së ujësjellësave, që tha se po përdoren nga bashkitë për punësime nepotike e elektorale.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video