Pse opozita po shkon e përçarë në zgjedhje

19 October 2022, 20:37Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pse opozita po shkon e përçarë në zgjedhje
Ilir Meta dhe Sali Berisha

Shënim: Për të kuptuar se sa janë mundësitë që Partia Demokratike të bashkohet në fund të bisedimeve të dy pjesëve të ndara të saj, mjafton që të shihet se kush janë negociatorët.

Sali Berisha ka caktuar Edi Palokën, njeriu i dytë më i besuar i tij pas Flamur Nokës, ndërsa Lulzim Basha ka caktuar Gazment Bardhin, njeriun që e katapultoi thuajse nga hiçi në pozicionet drejtuese të partisë pas 2017-s.

Përzgjedhja e këtyre emrave tregon që dy palët nuk tërhiqen nga kushtet që i kanë vendosur njëra-tjetrës. Berisha nga kushti për të njohur Kuvendin e 11 dhjetorit dhe gjithë vendimmarrjet që pasuan atë, përfshirë edhe procesin e zgjedhjes së tij si kryetar, ndërsa Lulzim Basha nuk tërhiqet nga kushti se s’ka bashkëpunim me ‘non gratat’.

Kjo do të thotë se shanset që Partia Demokratike të dalë e bashkuar në fund të bisedimeve janë thuajse zero. Sa për siglën, logon e vulën për këtë do të vendosë gjykata më 3 nëntor se kujt do t’ja caktojë.

Por, në zgjedhje e gjithë opozita mund të shkojë e përçarë. Sali Berisha ka njoftuar këtë të mërkurë aksionin opozitar me dy pika, primaret për të nxjerrë kandidatët për kryetarë bashkie dhe protestat.

Ilir Meta ka folur boll për protesta, por ka organizuar vetëm një periferike nga frika e mungesës së pjesëmarrjes nëse e thërriste atë në Tiranë. Për primaret, kur Sali Berisha i njoftonte si risi brenda Partisë Demokratike, Ilir Meta doli në konferencë për shtyp dhe i kërkoi që të mos nxitohej.

Meta kërkoi konsultim të të gjithë aktorëve opozitarë për caktimin e kandidatëve dhe sipas tij primaret nuk ndihmojnë, pasi janë një proces i njëanshëm i PD-së.

Me siguri Meta është njohur privatisht me qëndrimin e Berishës për të mos u tërhequr nga primaret, pasi që të dy kanë pranuar se janë në komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja se përse kreu i Partisë së Lirisë njoftoi strategjinë e re; atë të betejës për këshilltarët bashkiakë.

Meta dhe me radhë drejtuesit e partisë së tij kanë deklaruar se synimi i PL-së do të jenë këshillat bashkiakë, që thotë se do t’u rikthehen qytetarëve dhe llogaridhënies së pushtetit vendor. Objektivi nuk duket i pamendur. Një përfaqësim sa më i gjerë në këshillat bashkiakë do t’i jepte partisë së Metës një bazë më të gjerë për të bërë fushatë për zgjedhjet e përgjithshme të 2025-s.

Por, në arritjen e këtij objektivi Metës i duhet që të luftojë si me Ramën, ashtu edhe me Berishën. Prandaj aleanca Berisha-Meta është fiks siç e përshkroi Nikollë Lesi në një intervistë televizive të ditëve të fundit: “Ata janë bashkë, por me brekë hekuri”.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video