Ministria e Arsimit mbylli kopshtin “Zubeyede Hanim” me arsyetimin se e ushtronte veprimtarinë në një godinë të palicencuar.
Drejtuesit e kopshtit paditën në Gjykatën Administrative të Tiranës vendimin duke deklaruar se kishin njoftuar me kërkesa Ministrinë e Arsimit për adresën e re të këtij kopshti.
Paralelisht Ministrisë së Arsimit iu drejtuan me një peticion prindërit e kopshtit të mbyllur. Në peticionin në fjalë ata i kërkonin hapjen e institucionit pasi u kishin mbetur fëmijët në shtëpi.
Ministria e Arsimit i kthen përgjigje përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Alqi Kushi. Shkresa mban datën 12 tetor të këtij viti dhe u është drejtuar prindërve që kanë pasur fëmijët në këtë kopsht.
Ironik është fakti që shkresa mban për adresë; “Rruga Bernardin Palja, Ndërtesa 15, Hyrja 1, Njësia Bashkiake Nr.6”. Pra, adresën e kopshtit të mbyllur tashmë me urdhër të Ministrisë së Arsimit. Praktikisht shkresa nuk i ka shkuar askujt prej prindërve, pasi godina figuron e mbyllur.
Kjo është e para. E dyta është fakti që Sekretari i Përgjithshëm, Alqi Kushi, pra ai që ka firmosur shkresën është vetë një produkt i kolegjeve të ‘Turgu Ozal Educations’, që zotëron kopshtin e mbyllur. Voxneës.al mëson se Alqi Kushi është diplomuar pranë këtyre kolegjeve.
Ministria e Arsimit mbylli befas kopshtin “Zubayede Hanim” dhe kolegjin “Mehmet Akif” me arsyetime që u konsideruan të dobta. Arsyeja e vërtetë pas kësaj mbylljeje, sipas dyshimeve, ka ardhur nga Ankaraja me kërkesë të Erdogan që i ka shpallur luftë FETO-s, organizatës së Fethullah Gulen, që qëndron pas këtyre institucioneve në Shqipëri.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.