Nga Kastrati, Gega, Çukaj dhe Kuqi: Kush janë oligarkët që po abuzojnë me çmimin e naftës

12 Tetor 2022, 19:24Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kastrati dhe Gega, dy nga oligarkët e naftës në Shqipëri

Një litër naftë sot në Shqipëri po shitet me 245 lek për litër, aq sa është tavani i vendosur nga bordi i transparencës në vendimin e fundit.

Vendimi i bordit pasoi njoftimin e prodhuesve kryesorë të karburanteve, me në krye Arabinë Saudite për reduktim me 2 milionë fuçi të prodhimit ditor. Por, siç abuzohet gjithmonë në tregjet shqiptare, nëse teshtima ndodh në Arabi, Shqipëria ftohet dhe bordi i akuzuar si i kontrolluar nga oligarkët e rriti me 22 lek menjëherë.

A ka bazë të qëndrojë ky çmim? Nga përllogaritjet në tregjet ndërkombëtare një litër naftë u rrit me 17 lek, ditën që bordi në Shqipëri e rriti me 22 lek. Diferenca prej 5 lekësh arsyetohet me pjesën elastike të çmimit që u lihet tregtarëve me pakicë që të fitojnë.

Problemi është se ata që janë importuesit kryesorë janë edhe shitësit kryesorë në tregun me pakicë. Shefqet Kastrati, Paulin Gega, Frident Kuqi dhe Behar Çukaj i Bolv Oil. Pozita dominuese në treg dhe mbajtja e çmimit në tavanin e vendosur nga bordi, pavarësisht se çmimet në bursë nuk janë rritur me të njëjtin hap provon se tregu është i kontrolluar prej tyre.

Ata, pasi përcaktojnë çmimin përmes kontrollit që kanë në bordin e transparencës, përcaktojnë edhe nivelin e shitjes me pakicë në treg. Kastrati ka pjesën dërrmuese në tortën e fitimeve të majme që ndajnë, të tjerët e ndjekin duke u furnizuar te burimi i tij.

Burimi është Porti i Porto Romanos, nga ku importohen 75 për qind e karburanteve në vend. Portin e zotëron në masën 65 për qind Shefqet Kastrati dhe 35 për qind Frident Kuqi përmes Europetrol.

Kjo është arsyeja e parë dhe kryesore se përse nafta në Shqipëri ka çmimin më të lartë në Europë dhe ndër më të lartët në botë. Arsyeja e dytë është se ky çmim i shkon përshtat edhe qeverisë, që arkëton 4,6 lek më shumë TVSh për litër vetëm si efekt i rritjes së fundit të bordit. Në total, taksat mbi një litër naftë kanë shkuar 130 lek, ose më shumë se 50 për qind e çmimit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video