'Plehu i mirë i Çervenakut'/ Era e kokainës në Fier u ‘ndje’ nga DEA, bandat kriminale dhe fushata zgjedhore

30 Nëntor 2022, 13:22Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fotomontazh nga VoxNews

Laboratori i kokainës në Fratar të Fierit nuk ishte "nuhatur" vetëm nga DEA amerikane por edhe nga bota e krimit në Fier. Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka zbuluar se rrjeti i trafikantëve që sollën nga Kolumbia në Shqipëri ngarkesën prej 430 kg kokainë të tretur në tonelatat me pleh ishte pikasur dhe nga bota e krimit që operon në qytetin e Fierit.

Gazetarja Anila Hoxha ka raportuar se persona të paidentifikuar tentuan të sulmojnë banesën që do të përshtatej si laborator me vetëm një qëllim, të grabisnin mallin. Por për shkak të "mbrojtjes" nuk ia kanë dalë.

Sulmi nga bandat e Fierit

Sipas përgjimeve që ka mundur të kapë SPAK është përmendur një bravë e dëmtuar, por nga brenda "kullës" nuk ka munguar edhe kundërpërgjigjia. Nga brenda banesës është qëlluar me armë zjarri, si një mënyrë për t’i njoftuar të panjohurit se ishin të armatosur. Sakaq, ka dyshime se bota e krimit në qytetin e Fierit ishte informuar për ngarkesën dhe se anëtarët kishin nisur diskutimet për tregun e jashtëm, përpara se të niste procesi i nxjerrjes së kokainës.

Çervenaku gati për zgjedhje

Viktor Çervanaku, ish-kryetar komune, bëhet me dije nga përgjimet, po përgatitej për zgjedhjet lokale, nuk dihet se ë çfarë posti do kandidonte. Ai takoi eksponentë të njohur duke u thënë ka ardhur pleh i mirë nga Kolumbia. Por emrat e këtyre eksponentëve nuk janë bërë me dije. Por, nga muaji shtator kur ngarkesa mbërriti nga Mali i Zi, thasët me pleh u mbajtën në oborr pasi eksperti kolumbian mbërriti në Shqipëri në muajin nëntor dhe vonesa e tij u bë shkak që puna të dështonte.

Ndjekja nga DEA

Prej kohësh agjencitë e huaja që po ndiqnin udhëtimin e ngarkesës llogaritën në thasë përqindjen e drogës dhe me anë të kësaj formule u dol në përfundimin që aty gjendeshin jo pak por 430 kg kokainë.

Si hynë në Shqipëri dy "laboratoristëve" kolumbianë

Krahas hetimeve që po kryhen nga SPAK në lidhje laboratorin e drogës në Frakull të Fierit, po gjurmohet edhe hyrja e dy "laboratoristëve" kolumbianë në vendin tonë. Zamir Rodriguez dhe bashkëkombasi i tij nuk rezultuan të regjistruar në asnjë pikë kufitarë në vendit tonë. Sistemi TIMS nuk i ka regjistruar askund, kanë hyrë si "fantazma" në Shqipëri, ndërsa Policia e Shtetit e ka të paqartë sesi janë futur në tokën shqiptare.

Për sa i përket bashkëkombësit tjetër të Rodriguez ende Policia nuk e ka një informacion të saktë për profilin e tij por e ka të qartë se ai kishte ardhur në Shqipëri për të ndarë plehun organik me kokainën. Megjithatë deri më tani, asnjë prej tyre nuk e ka pranuar se ç'punë kishin në Shqipëri. 

Çfarë deklaroi SPAK

SPAK përmes një konference deklaroi zbulimin dhe sekuestrimin e ngarkesës në banesën e ish-kryetarit të komunës Frakull në Fier Viktor Çervanaku dhe arrestimin e 10 personave, ndërkohë që në kërkim u shpall një person. Droga nga Shqipëria shkonte më pas në Mal të Zi, ku gjithashtu pati kapje të një sasie kokaine. 

Kush janë të arrestuarit

Të arrestuar për laboratorin e kokainës në Frakull të Fierit, por një pjesë e tyre janë jo pak të njohur për opinionin publik dhe policinë.  Përveç Zenel  dhe Viktor Çervanaku, i cili më herët ka mbajtur detyrën e kreut të komunës, djali i tij Denilson Çervanaku, i arrestua bashkë më të fejuarën, Enxhi Ferhati, ka qenë futbollist. 25-vjeçari më së shumti ka qenë pjesë e ekipit të Dinamos, Olimpikut. Karrierën në sport e ka nisur në vitin 2013 dhe e ka mbyllur në vitin 2017 ndërsa gjatë këtyre viteve ka shënuar vetëm 2 gola.

Klajdi Kodra i njohur edhe me mbiemrin Vrioni ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, atentate dhe plagosje. Ai është djali i ish-qitëses së mirënjohur shqiptare, Lindita Kodra. Një ditë më parë u arrestua në Tiranë pasi u kap bashkë me 3 të tjerë me armë në makinën tip ‘Range Rover’, bashkë me Redion Meshin dhe Bledar Matoshin. Ngjarja e fundit kriminale si i përfshirë është ajo e 27 majit 2021 ku plagosi me armë zjarri 19-vjeçarin Reginaldo Kaçorri.

Në gusht të 2017, Kodra u arrestua si bashkëpunëtor në atentatin ndaj Lorenc Hoxhës, i cili mbeti po ashtu i plagosur në konfliktin e nisur për hasmëri. Në vitin 2010, rezulton i përfshirë në një plagosje të dyfishtë, në rrugën “Vasil Shanto”. Të plagosur asokohe mbetën dy vëllezër, Klajdi dhe Roland Çeço, 25 dhe 27 vjeç.

Në vitin 2016, me dy të tjerë, Kodra plagosi duke e goditur në fytyrë dhe në pjesë të tjera të trupit me sende të forta Flamur Cullhajn. Gjatë konfliktit pati edhe të shtëna me armë në ajër. Ndërkohë, në vitin 2013, në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës, Klajdi Kodra u qëllua me plumb në këmbë, pas një konflikti të çastit.

Gjithashtu në pranga ka rënë edhe Nikolen Gjelona, personi i cili është arrestuar në rolin e financuesit. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu.

Kush është Enxhi Ferhati, vajza e të fortit të rrugës së Kavajës

Enxhi Ferhati, e cila u vu në pranga si e përfshirë në laboratorin e kokainës në Frakull të Fierit është vajza e Genc Ferhatit, i njohur si i forti i rrugës së Kavajës. Enxhi Ferhati është e fejuara e Denilson Çervanakut, djali i kreut të Komunës së Frakullit, Viktor Çervanaku.

Ndërsa Genc Ferhati ka qenë ndër emrat e njohur të botës së krimit në vitet 1997-2000. Ishte koha kur rivaliteti i bandave të djemve të rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit, për të kontrolluar territorin e shpërndarjes së heroinës dhe kokainës ishte në kulm.

Që nga vrasja e Ginës dhe Shehut, jeta e tij u lidh me qelitë e burgjeve 302 dhe 313. Edhe gjatë kësaj kohe, sipas gardianëve të burgut, qëndrimi i Ferhatit në qeli i akuzuar për një nga atentatet më të rënda dhe më spektakolare, qe e lidhur me praktikimin e fesë islame në burg. Madje ai përshkruhej si një njeri që njihte mjaft mirë islamin si besim.

Roli i laborantit Zaimir Rodrigez

Mësohet se roli i tij në labortaorin e drogës ishte që të bënte ndarjen e kokainës nga plehu kimik, bashkë me dy të tjerë, janë të specializuar për ta nxjerrë lëndën narkotike nga çdo përzierje tjetër, përfshi edhe nga rrobat.

GJKKO i la në burg 10 të arrestuarit

Gjykata e Posaçme vendosi masat e sigurisë "arrest në burg" për 10 personat e arrestuar për laboratorin e Fierit. Personi që e ka porositur plehun organik nga Kolumbia, Zenel Çervenaku, ka pretenduar se nuk ka pasur asnjë dijeni për sasinë e lëndës narkotike nëpër thasë.

Personat e arrestuar kanë patur qëndrim mohues para gjykatës dhe nuk kanë pretenduar se nuk kanë asnjë dijeni për aktivitet të paligjshëm./VoxNews

Video